Sot hapet ekspozita fotografike “Kraja Monumentale” në Gjuhadol, lagjja historike e qytetit të Shkodrës.
“Ekspozita “Kraja Monumentale” shënon fillimin e një bashkëpunimi të ngushtë dhe harmonik mes qytetit të Shkodrës dhe krahinës së Krajës”, bën të ditur Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër, e cila mbështet në këtë aktivitet Shoqatën “Kraja”. Ky bashkëpunim synon të përforcojë lidhjet historike, kulturore dhe sociale midis këtyre dy vendeve, duke sjellë në vëmendje trashëgiminë e tyre të pasur dhe duke inkurajuar ndërveprimin dhe ndërtimin e një bashkësie të fortë.
Kraja, trevë e malësisë së Mbishkodrës, ka një lidhje të thellë historike dhe kulturore me qytetin e Shkodrës. Kjo lidhje ka evoluar dhe përhapur nëpër shekuj, duke u shfaqur nëpërmjet ngjarjeve historike, traditave kulturore dhe shkëmbimeve të shumta njerëzore.
Ekspozita, e kuruar nga Korab Kraja, përqendrohet në trajtimin e lidhjeve historike-kulturore midis Shkodrës dhe Krajës, duke eksploruar trashëgiminë e tyre të përbashkët dhe influencën reciproke që kanë pasur në zhvillimin e tyre të kulturës dhe identitetit. Përmes fotografive, artefakteve dhe materialeve informative, ekspozita shpalos historinë dhe trashëgiminë e pasur kulturore të krahinës së Krajës dhe rrethin e Shkodrës.
Kjo ekspozitë synon të inkurajojë një marrëdhënie të ngushtë dhe të qëndrueshme midis qytetit dhe krahinës, duke promovuar bashkëpunimin, shkëmbimin e përvojave dhe përkrahjen e njëri-tjetrit në rrugën drejt zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit dhe kulturës për të dy komunitetet./atsh