Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > “Krahët e punëtorëve” nga Kosova triumfon në Meksikë e Kroaci, niset drejt “Oscarit”

“Krahët e punëtorëve” nga Kosova triumfon në Meksikë e Kroaci, niset drejt “Oscarit”

“Guanajuato International Film Festival” në Meksikë dhe “CineHill” në Kroaci kanë qenë dy stacionet e radhës ku është ndalur “Krahët e punëtorëve” i Ilir Hasanajt, e prej të dyve është kthyer me çmime. Ai i të parit ka edhe tjetër peshë, pasi festivali është kualifikues për çmimin e madh “Oscar”. “Më pëlqen momenti kur je në zyrë duke punuar dhe nuk e pret që do të ndodhë diçka jashtëzakonisht e madhe…”, ka thënë. Por ka gabuar
E kishte nisur mbarë vitin, goditi qysh me premierë botërore në janarin e sivjetmë, u kthye nga Rotterdami me “Tigrin” për dokumentarin më të mirë, por s’e ka ndërmend të ndalet. Javën e kaluar “Krahët e punëtorëve” ka fluturuar deri në Portugali ku u dha premierë, të hënën ka marrë çmim në Meksikë, e rrugës edhe një tjetër. Po këtë ditë ka fituar edhe në Kroaci. Tash dokumentarit të shkurtër të Ilir Hasanajt i është hapur rruga drejt nominimit për “Oscar”. Është çmimi për filmin më të mirë ndërkombëtar të kategorisë së dokumentarit të metrazhit të shkurtër në edicionin e 27-të të Festivalit më të rëndësishëm të filmit në Amerikën Latine në Meksikë, “Guanajuato International Film Festival”

“Për narrativën e krijuar me zgjuarsi, të shoqëruar me kinematografi intuitive dhe goditëse, që u jep zë dhe hedh dritë mbi punëtorët anembanë botës si dhe aksidenteve të punës në trupat e tyre”, është arsyetimi i jurisë në përbërje të filmbërësve Laura Baumeister, Miko Revereza dhe Virgile Ratelle.
Regjisori Ilir Hasanaj ka falënderuar jurinë për këtë çmim, duke theksuar rëndësinë e temës së filmit dhe të gjithë atyre që kanë kontribuuar në suksesin e tij. Lajmin e ka bërë të ditur edhe QKK-ja. Atë për triumfin në Kroaci e ka konfirmuar regjisori në një deklaratë për KOHËN. Bëhet fjalë për festivalin “CineHill” që ka përfunduar të hënën në Gorski Kotar, një rajon malor midis Karlovacit dhe Rijekës.
“Krahët…” është konfirmuar si fitues edhe në ueb-faqen e festivalit i cili sivjet ka lënë prapa çerekshekullin. Juria e ka vlerësuar si “dokumentar kompleks dhe poetik në të cilin regjisori u jep zë dhe i vë në pah ata që nuk dëgjohen, në një vend të gërryer nga mekanizmat e pashpirt ekonomikë”.

Kur janë bërë publike të dyja lajmet, regjisori Hasanaj, ka qenë duke punuar.

“Më pëlqen momenti kur je në zyrë duke punuar dhe nuk e pret që do të ndodhë diçka jashtëzakonisht e madhe, dhe papritur të vjen një e-mail që të lajmëron se je nderuar me çmim në Meksikë. U gëzova shumë dhe mezi prita ta ndaj lajmin e mirë me pjesën tjetër të ekipit të filmit. Momente të tilla janë të jashtëzakonshme, megjithëse të shkurtra, por shoqërohen me shumë gëzim, emocion dhe eufori. Pak më vonë më erdhi një tjetër e-mail, përmes të cilit mësova se jemi shpërblyer me çmimin ‘Best Short Film’ edhe në festivalin ‘CineHill’ të Kroacisë. Ky lajm ishte edhe më i papritur, por një gjë shumë e bukur që ndodhi. Në fillim nuk më besohej dhe pas lajmeve të tilla gjithmonë më duhet pak kohë për ta marrë veten, por jam shumë i lumtur që filmi po merr vlerësime të këtilla”, ka thënë ai në një bisedë për KOHËN, të hënën vonë.

“Krahët e punëtorëve” (Worker’s Wings) ilustron jetën e tre protagonistëve nga Kosova të cilët e pësuan në vendin e tyre të punës. Siç e shpjegon edhe regjisori, janë tre persona që kanë pasur një aksident shumë të rëndë dhe prej atëherë nuk e kanë përjetuar drejtësinë. Dikush ka pasur aksident në minierë, dikush në një kompani të miellit, e një tjetër në ndërtimtari. Më pas dikush që e ka dikë të afërt që bën punë të rëndë në ndërtimtari apo personat që vijnë nga vendet e Ballkanit ku ka shumë aksidente në vendin e punës.

Rrëfimi është universal dhe për këtë del të çmohet deri në Meksikë, që s’e njeh Kosovën, por jo edhe një rrëfim të fuqishëm human.

“Nuk e njoh shumë mirë këtë festival, por nga regjisorë të tjerë dhe miqtë e mi që bëjnë filma kam dëgjuar se është një festival shumë i mirë. Sidomos kur ekziston që 27 vjet, mund ta krahasoj lirisht me ‘DokuFestin’ dhe për këtë kam respekt të madh për një ngjarje si kjo. Pastaj kur lexova se i ka mbi 90 mijë vizitorë në çdo edicion, në një vend si Meksika që nuk na njeh si shtet, është kënaqësi e madhe të shkruhet emri i Kosovës si fitues i çmimit kryesor. Por mbi të gjitha, gëzohem që festivale të tilla të mëdha po e vlerësojnë filmin, i cili nuk është thjesht sikur dokumentarët e tjerë, por është goxha i veçantë për nga mënyra si e trajton temën dhe për nga mënyra e realizimit”, ka thënë ai.

Trofeu ka peshë të madhe, sepse i hap të tjera rrugë.

“Fakti që juria po e vëren dhe vlerëson një gjë të tillë, po më duhet si një kompliment më i madh për filmin. Edhe fakti se fituesit e këtij festivali kualifikohen për t’u konsideruar në kategoritë e filmit të shkurtër të çmimit prestigjioz ‘Oscar’ po e bën këtë vlerësim dhe triumfin edhe më të ëmbël”, ka thënë ai.

Për të rëndësi ka që filmi ka publik të ndryshëm.

“Kjo tregon që edhe si vend i vogël, kemi tema që kanë universale. Më së shumti më gëzon që kemi mbërritur me ekipin që të krijojmë diçka që i prek njerëzit, jo vetëm në Kosovë, por edhe në anën tjetër të globit. Si për mua si regjisor, si për filmin në tërësi, dëshira është e njëjtë, që filmi të shikohet në mbarë botën dhe që një gjë e tillë të ndodhë, nevojitet që projekti të vlerësohet, sepse në të kundërtën nuk përzgjidhet as nga festivalet për të marrë pjesë”, ka thënë Hasanaj. E publiku në Kosovë e pret në gusht me premierë vendore në Festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” më 7 gusht në platenë e “DokuKino” në Prizren. Garon në kategorinë kombëtare.
“Gëzohem shumë me e nda këtë film me publikun në Kosovë, sepse ai është realizuar për ta dhe vendin tonë. Prandaj po, frika më e madhe për ne si ekip është nëse në Kosovë do t’u pëlqejë shikuesve filmi ynë. Më së shumti jam kureshtar ta kuptoj se si do të pritet nga punëtorët e krahut, për të cilët edhe flet dokumentari”, ka thënë Hasanaj.

Por “Krahët e punëtoreve” i pret rrugë e gjatë. “Filmi do të udhëtojë në dy festivale. Njëri në Slloveni dhe tjetri në Greqi, në ‘Drama International Festival’ që është ndër më të vjetrit të filmit të shkurtër në Greqi. Do të rrugëtoj edhe në festivale të tjera, por që ende është herët të flas për to”, ka thënë ai. Pjesëmarrja në festivale është jo pa rëndësi. Por Ilir Hasanaj ka tjetër synim.

“Po shpresoj që ‘Krahët e punëtorëve’ do të ketë ndikim dhe të ndihmoj në përmirësimin e gjendjes dhe kushteve të punëtorëve në Kosovë. Kjo ka qenë dhe arsyeja pse e kam filluar realizimin e këtij projekti. Ky është qëllimi që e kam shumë për zemër”, ka thënë ai.