Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në orët e hershme të mëngjesit është tejkaluar problemi i publikimit të rezultateve preliminare të zgjedhjeve të mbajtura gjatë ditës së djeshme në Republikën e Kosovës, shkruan TV Arbëria.
Sipas njoftimit, thuhet se të dhënat tashmë janë duke u shfaqur pa ndonjë pengesë në platformën e rezultateve dhe deri më tani janë procesuar rreth 90% e vendvotimeve.
Derisa u bëhet thirrje mediave dhe qytetarëve t’u referohen këtyre të dhënave që po shfaqen në platformën elektronike.
“Ju njoftojmë se në orët e hershme të mëngjesit është tejkaluar problemi për publikimin e rezultateve preliminare për subjektet politike nga procesi i votimit më 9 shkurt. Të dhënat po shfaqen pa ndonjë pengesë në platformën e rezultateve dhe deri më tani janë procesuar rreth 90% e vendvotimeve. Mediat dhe qytetarët mund t’i referohen këtyre të dhënave që po shfaqen në platformën elektronike”, thuhet në njoftim.
Më tej, theksohet se gjatë gjithë natës, KQZ ka verifikuar rezultatet që kanë arritur në platformën elektronike duke i krahahsuar me të dhënat nga formularët e rezultateve të subjekteve politike që janë plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve.
Ndryshe, mbrëmjen e djeshme u raportua se Prokuroria Speciale ka dhënë urdhër që të nisin hetime në KQZ si pasojë e problemeve nga ky institucion që u paraqitën gjatë publikimit të të dhënave nga numërimi i votave për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Por që udhëheqësja e Zyrës për Komunikim në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Liridonë Kozmaqi Hajdaraj ka thënë se “Prokurori i Shtetit, duke e përfshirë edhe Prokurorinë Speciale, nuk ka dhënë urdhër për nisjen e hetimeve kundër KQZ-së”. /TV Arbëria./