Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > KQZ përmbyll Zgjedhjet Lokale 2025, të fundit certifikohen rezultatet zgjedhore të Kuvendit Komunal të Istogut

KQZ përmbyll Zgjedhjet Lokale 2025, të fundit certifikohen rezultatet zgjedhore të Kuvendit Komunal të Istogut

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllë procesin e Zgjedhjeve Lokale të vitit 2025.

Në mbledhjen e mbajtur këtë të enjte, KQZ ka certifikuar rezultatin e fundit nga këto zgjedhje dhe që i takon Kuvendit Komunal të Istogut.

Më herët, më 21 nëntor 2025, KQZ kishte certifikuar rezultatet përfundimtare për 37 Kuvendet Komunale për këto komuna: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Leposaviq, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Podujevë, Prizren, Skënderaj, Shtime, Shtërpcë, Suharekë, Ferizaj, Viti, Vushtrri, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Mamushë, Hani i Elezit, Graçanicë, Ranillug, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut. Në këtë vendim të KQZ-së, nuk përfshihej rezultati i zgjedhjeve për Kuvendin Komunal të Istogut, pasi ende nuk ishte përmbyllur vendimmarrja lidhur me ankesën e një kandidati për anëtar të këtij Kuvendi Komunal.

Ndërkaq, rezultatet e zgjedhjeve për Kryetare të Komunave janë certifikuar në dy mbledhje të ndryshme.

Fillimisht, më 3 nëntor, KQZ ka certifikuar rezultatet e raundit të parë të zgjedhjeve për Kryetarë të 35 komunave, ndërkaq më 8 nëntor rezultatet e 3 komunave të tjera. Nga numri i përgjithshëm i komunave, në 20 prej tyre fituesit janë zgjedhur në raundin e parë, si: Deçan, Gllogoc, Kamenicë, Leposaviq, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Podujevë, Skënderaj, Shtime, Shtërpcë, Ferizaj, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Hani i Elezit, Graçanicë, Ranillug, Partesh dhe Mitrovicë e Veriut.

E, rezultatet e raundit të dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave, janë certifikuar më 27 nëntor dhe për këto 18 komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klina, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot./EO/