Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > KQZ mban mbledhje, propozohet hapja e kutive postare për votimin jashtë Kosovës

KQZ mban mbledhje, propozohet hapja e kutive postare për votimin jashtë Kosovës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të mblidhet sot (11:00) për të vazhduar me përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 për Kuvendin e Kosovës.

Në mesin e shumë pikave të rendit të ditës që lidhen kryesisht me përgatitjet për organizimin e këtyre zgjedhjeve është edhe “propozimi për hapjen e kutive postare jashtë Kosovës”.

Sipas ligjit në fuqi, kutitë postare jashtë Kosovës, hapen nga KQZ-ja me ndihmën e përfaqësive diplomatike dhe u shërbejnë për të votuar atyre votuesve që regjistrohen që të votojnë duke dërguar fletëvotimin në kutinë postare të KQZ-së, jashtë Kosovës.

Dërgimi i fletëvotimit në kutinë postare jashtë Kosovës do të reduktonte koston e votuesve jashtë Kosovës.

Në mbledhje pritet të bëhet e ditur se në cilat shtete do të propozohet hapja e kutive postare për votimin jashtë Kosovës.

Sipas njoftimeve të mëhershme nga KQZ-ja, gjatë periudhës së aplikimit për regjistrim si votues jashtë Kosovës (29 gusht – 26 dhjetor 2024) në momentin e regjistrimit votuesit mund të përcaktohen individualisht për mënyrën e votimit:

1. Të votojë fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës;

2. duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ në Kosovë;

3. duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës.

Sipas KQZ-së, pikat tjera të rendit të ditës janë edhe shqyrtimi dhe miratimi i nominimeve për emërimin e dy anëtarëve të KKZ në komunën e Parteshit për Kuvendin e Republikës së Kosovës 9 shkurt 2025.

Pastaj, shqyrtimi dhe miratimi i zëvendësimit dhe emërimit i anëtarit të KKZ në komunën e Lipjanit për Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës 9 shkurt 2025, shqyrtimi dhe miratimi i specifikave teknike për Doracak të trajnimit për Zgjedhjet e Rregullta për Kuvendin e Republikës se Kosovës 9 shkurt 2025 dhe për zgjedhjet lokale 2025, shqyrtimi dhe miratimi i specifikave teknike për shtypjen e distinktivëve për procesin e votimit për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës 2025 dhe për zgjedhjet lokale 2025.

Powered by WordPress