Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mori vendim që më 27.12. 2025, në përfaqësitë diplomatike të lejohet votimi edhe me dokumente të Republikës së Kosovës me afat të skaduar të vlefshmërisë.
Ky vendim, sipas KQZ-së vjen pas evidentimit të disa rasteve në votimin e kaluar për Kuvendin e Kosovës, i mbajtur më 08.02. 2025 (në përfaqësi diplomatike), ku votuesit e regjistruar janë paraqitur për votim me dokumente identifikimi të skaduara.
KQZ ka njoftuar se votuesit e regjistruar paraprakisht për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike në të cilat do të organizohet votimi më 27 dhjetor, mund të identifikohen në vendvotim me njërin prej tri dokumenteve të lëshuara nga Republika e Kosovës: letërnjoftim, pasaportë apo lejen e vozitjes, shkruan KALLXO.
Po ashtu, në këtë mbledhje, në kuadër të procesit përgatitor për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, KQZ mori vendim për miratimin e pagesës për objektin privat që do të përdoret si Qendër Votimi në Komunën e Mitrovicës së Jugut.
Dy vendimet tjera janë për transportin e materialeve nga Qendrat Komunale të Numërimit në Këshillat e Vendvotimeve dhe anasjalltas; dhe për autorizimin e stafit rezervë të Këshillave të Vendvotimit, stafit mbështetës në procesin zgjedhor dhe stafin për tërheqje të pakove me fletëvotime nga kutitë postare.
Zgjedhjet në Kosovë do të mbahen më 28 dhjetor, kurse në përfaqësitë diplomatike një ditë më herët, më 27 dhjetor.