Komisioni Qendror Zgjedhor ka dhënë detaje se si duhet të plotësohen fletëvotimet në Zgjedhjet për Kryetar Komune dhe për Kuvende Komunale.
Nga KQZ kanë sqaruar se në zgjedhjet e 12 tetorit do të plotësohet një fletëvotim me ngjyrë të verdhë dhe një tjetër me të kaltërt.
“Fletëvotimi me kornizë të verdhë i përket zgjedhjeve për kryetar komune dhe përmban emrat e kandidatëve së bashku me subjektet politike që përfaqësojnë. Ju, si votues, duhet të votoni vetëm një kandidat për kryetar komune, duke vendosur shenjën në katrorin pranë emrit të tij.
Fletëvotimi me kornizë të kaltër i përket zgjedhjeve për kuvendet komunale. Në anën e majtë të fletëvotimit, ju duhet të votoni vetëm një subjekt politik, ndërsa në anën e djathtë të tij, ju mund të votoni vetëm një kandidat për anëtar të Kuvendit Komunal nga lista e atij subjekti politik. Vota për subjektin politik llogaritet votë edhe për bartësin e listës, emri i të cilit në fletëvotim është i shkruar nga KQZ afër emrit të subjektit politik.”, bëhet e ditur në njoftim.