Partitë politike duhet që të martën t’i dorëzojnë listat e kandidatëve për deputetë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e 7 qershorit për Kuvendin e Kosovës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka paralajmëruar se të gjithë kandidatët që synojnë të garojnë në këto zgjedhje do t’i nënshtrohen procesit të verifikimit institucional, për të vlerësuar përmbushjen e kritereve ligjore.
Sipas KQZ-së, përmes këtij procesi do të kontrollohet nëse kandidatët për deputetë i përmbushin kushtet e përcaktuara me ligj për pjesëmarrje në zgjedhje, në përputhje me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, përkatësisht nenin 30.
“Në kuadër të përmbushjes së obligimeve ligjore që kanë të bëjnë me përshtatshmërinë/aftësinë e kandidatëve për certifikim, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, do t’u dërgojë institucioneve relevante kërkesat për verifikim, së bashku me listën e kandidatëve që synojnë të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje, me qëllim të vlerësimit nëse ata janë në përputhje me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Kjo është një praktikë e ndjekur nga KQZ edhe në proceset e kaluara zgjedhore”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.