Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > ​KQZ e gatshme për zgjedhjet në veri, certifikon dhe 14 kandidatë të LVV-së

​KQZ e gatshme për zgjedhjet në veri, certifikon dhe 14 kandidatë të LVV-së

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është shprehur i gatshëm të organizojë zgjedhjet në katër komunat veriore të vendit të parapara të mbahen më 18 dhe 25 dhjetor. Në mbledhjen e së shtunës, janë certifikuar edhe 14 kandidatë të Lëvizjes Vetëvendosje për Kuvend Komunal të Leposaviqit, por ky rekomandim i Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike u vlerësuar si një precedent negativ.

Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Burim Ahmetaj, në raportin e tij, lexoi edhe një reagim të zyrtarëve të Komisioneve Komunale Zgjedhore (KKZ), të komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok të cilët thanë se nuk iu ikin përgjegjësive të tyre.

Dy ditë më parë, vetë Ahmetaj, kishte deklaruar se zyrtarët e Komisioneve Komunale Zgjedhore (KKZ), që përfaqësojnë partitë politike, refuzojnë të shkojnë në vendet e tyre të punës në katër komunat në veri të vendit për shkak të sigurisë së tyre.

Ahmetaj: Zyrtarët komunalë të veriut nuk i ikin përgjegjësisë

“Me datën 9 dhjetor kemi pasur reagimin nga ushtrues të detyrave në lidhje me deklarimet e anëtarëve të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve nga mbledhja e KKZ e datës 8 dhjetor. Zyrtarë të lartë komunalë të zgjedhjeve që janë kryesues të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve nga komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, deklarojnë se për asnjë moment nuk i kanë ikur përgjegjësisë dhe nuk i ikin përgjegjësisë me të cilën janë ngarkuar”, tha Ahmetaj.

Ky sqarim u mirëprit nga të gjithë anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ata diskutuan edhe rreth mbledhjes të së premtes së këtij institucioni e cila ishte e mbyllur për media.

Sipas tyre, pas mbledhjes, KQZ i është drejtuar me një shkresë presidentes Vjosa Osmani në të cilën shprehim gatishmërinë për të organizuar zgjedhjet në veri të vendit.

Anëtari Ilir Gashi deklaroi se është përtej përgjegjësive të KQZ që të ketë rekomandime për shtyrje të zgjedhjeve në veri.

Gashi: KQZ nuk jep rekomandime për shtyrje

“Edhe dje (e premte) kemi konstatuar që ky institucion është i gatshëm të kryejë detyrat e tij të ngarkuara me ligj dhe kushtetutë dhe falënderoj të gjithë kolegët që kemi qenë unanim që ky institucion as nuk rekomandon shtyrje sepse të gjithë pajtohemi që janë përtej kompetencave tona si institucion për të dhënë rekomandime të tilla, prandaj uroj që procesi të shkojë ashtu si është planifikuar”, deklaroi Gashi.

Anëtari tjetër i KQZ-së, Arianit Elshani, kërkoi që shkresa që i është dërguar presidentes Vjosa Osmani të bëhet publike. Sipas tij, në shkresë KQZ vetëm ka informuar lidhur me mbarëvajtjen e deritanishme të procesit zgjedhor me të gjitha fazat që është kaluar si dhe po vazhdon me përgatitjet për zgjedhjet e 18 dhe 25 dhjetorit.

Elshani: Ne duhet të vijojmë me përgatitjet

Përderisa kemi raportime publike që e gjithë situata është e menaxhueshme deri më tash dhe nuk ka kufizim të lëvizjes së lirë gjë që mundëson kështu dhe organizimin e zgjedhjeve ne duhet të qëndrojmë në hap me të gjitha përgatitjet, të gjitha aktivitetet tona të planifikuara në kuadër të planit operacional, me shtypjen e fletëvotimeve, me shtypjen e broshurave, me marrjen e nominimeve për komisionarët dhe atyre të vëzhguesve”, deklaroi Elshani.

Po ahtu, u tha se është mbajtur edhe takimi koordinues i sigurisë ku është dakorduar se do t’i jepet kohë policisë që të bëjë edhe vlerësimin e qendrave të votimit dhe sigurinë e tyre.

Me datën 5 dhjetor KQZ mori vendim për certifikim të 4 kandidatëve për Kuvend Komunal në Komunën e Leposaviqit nga LVV dhe kishte refuzuar certifikimin për 14 kandidatë të tjerë. Subjekti në fjalë kishte parashtruar ankesë në PZAP dhe PZAP e ka kthyer në rivendosje në KQZ certifikimin e 14 kandidatëve të mbetur nga kjo listë.

Rekomandimi i Zyrës për Regjistirmin e Partive Politike për certifikim të këtyre 14 kandidatëve u vlerësua nga anëtarët e KQZ që vijnë nga radhët e partive opozitare si precedent negativ por ata të LVV thanë se subjektet mund ta dërgojnë vendimin në Supreme.

Lëvizja Vetëvendosje kishte dërguar më 2 dhjetor listën me katër kandidatë për Kuvend Komunal të Leposaviq. Mirëpo, KQZ kishte konstatuar se lista nuk respektonte kuotën gjinore duke i kërkuar këtij subjekti të përmirësojë të njëjtin. Mirëpo, lista e dorëzuar përmbante 18 kandidatë.

Anëtarët thanë se tashmë periudha e korrigjimit të listave mund të shfrytëzohet në të ardhmen për të shtuar emra të rinj sipas këtij vendimi.

Anëtari Arianit Elshani pati vërejtje në lidhje me arsyteimet që janë dorëzuar në formë të shkruar, pasi sipas tij, anëtarët kanë pasur shumë më shuë arguemnte dnërsa në dokument ëhstë përmbledhur me dy-tre rreshta.

Elshani: Argumentimi është përmbledhur me një paragraf

“Kemi pasur 4 kandidatë që kanë aplikuar te LVV brenda afatit të përcaktuar në bazë të interpretimit që ne i kemi dhënë Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme. Dhe 14 të tjerë të shtuar pastaj përmes afatit të korrigjimeve që janë dhënë nga Zyra për Regjistrimin e Partive Politike. Mirëpo pavarësisht diskutimeve që kemi bërë për të hedhur poshtë atë rekomandim të Zyrës së Regjistrimit të Partive Politike kam parë komentet në vendim, pra arsyetimi lidhur me refuzimin e certifikimit të 14 kandidatëve të LVV, ka qenë një paragraf me dy-tre rreshta, pavarësisht diskutimit dhe arsyetimit dhe interpretimeve që ne i kemi pasur këtu”, tha Elshani.

Anëtari tjetër, Ilir Gashi, tha se Zyra për Regjistrimin e Partive Politike tashmë ka bërë një normë të re me të cilën e ngarkon veten për proceset e ardhshme zgjedhore.

Gashi: Zyra ka krijuar normë të re

“Kjo është një normë e re që nuk ka ndodhur deri më sot dhe i shërben të ardhmes. Gabimet që e keni bërë herën e parë që i keni pranuar njerëzit jashtë afatit dhe me përgjigje që e keni dhënë në raport me PZAP e keni bërë një normë të re, e keni ngarkuar veten dhe Zyrën sepse tashmë e kemi një normë të re që do t’i shërbejë subjekteve politike deri në fund t’i mbushin listat e tyre gjë që nuk ka ndodhur më parë”, tha Gashi.

Alim Rama, anëtar i KQZ i emëruar nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se periudha e korrigjimit nuk është e definuar në detaje dhe se ka pasur edhe raste të tjera të shtimit të emrave.

Rama: Koha e korrigjimit nuk është e definuar

“Koha e korrigjimit është aq e hapur dhe nuk është e definuar ne detaje dhe besoj me këtë vendim definohet koha e korrigjimit dhe sigurisht që nuk është hera e parë, nuk dua të hyjë rasteve të tjera, por gjithmonë janë ndërruar listat, për çfarëdo arsye janë ndërruar listat, radhitja e të gjitha. Është një kohë e fundit e prerjes ku KQZ merr vendim, ajo koha e prerjes është certifikimi”, tha Rama.

Sami Hamiti, i emëruar nga LDK, tha se pasojat e këtij vendimi do të vihen re edhe më vonë.

Hamiti: Keni krijuar precedent të keq

“Prej praktikës, kemi korrigjuar lista, por nuk i kemi plotësuar, kurrë. Sepse e ke dorëzuar numrin e saktë dhe në mesin e tyre ata që s’i kanë plotësuar kriteret janë ndryshuar… Dijeni keni bërë precedentë të keq për rastet e tjera, ju do të ballafaqoheni më vonë sepse do të vijnë dhe do të ndryshojnë kush si të dëshiron”, tha Hamiti.

Ndërsa, Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje, u shpreh se të interesuarit mund ta dërgojnë këtë vendim të KQZ edhe në Gjykatë Supreme.

Kurteshi: Secili mund t’i drejtohet Supremes

“Duhet të keni parasysh që gjykatat vendosin precedentë, jo dikush tjetër. Deri në momentin kur ajo ankimohet se secili subjekt ende ka të drejtë të drejtojë në Gjykatën Supreme një ankesë, pavarësisht këshillës juridike këtu”, tha Kurtehsi.

Me vota unanime, 11 pro, janë certifikuar 14 kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje ndërsa u mor vendim edhe për përditësimin e broshurave me emrat e kandidatëve të rinj të certifikuar.

Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve më vota unanime vendosën gjithashtu të shtyjnë afatin për nominimet për Këshilla të Vendvotimit, i cili duhej të mbyllej sot, por që tashmë do të jetë i hapur deri më 13 dhjetor. /TV Arbëria 

Powered by WordPress