Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > KPM si instrument i kapur nga ArtMotion

KPM si instrument i kapur nga ArtMotion

Nëse ka diçka që e ka tradhtuar deri në ekstrem promovimin e zhvillimit të një tregu të shëndosh medial në vendin tonë, nuk ka dyshim se mbetet sjellja e vazhdueshme e anëtarëve të Bordit të Komisionit të Pavarur të Mediave. Standardet e dyfishta dhe shpërfillja e detyrimeve ndaj vet rregulloreve që i përcaktojnë obligimet ligjore të këtij organi kushtetues, lirisht mund të themi se e kanë shndërruar KPM’në nga institucion për të garantuar barazinë në treg për të gjithë operatorët, në mjet për ta forcuar monopolin e operatorit si Artmotion.

Me këtë rast, qasja e deritanishme e KPM-së, ka qenë në kundërshtim të plotë me Ligjin Nr.04/L-44, përkatësisht paragrafin 6 të nenit 9 i cili shprehimisht thotë se “politika e transmetimit, do të promovojë zbatimin e dispozitave të cilat parandalojnë monopolizimin e transmetimit në Kosovë duke promovuar konkurrencë të drejtë për ofrimin e shërbimeve mediale audiovizuele”.

Kjo normë forcohet edhe në rregulloren e KPM 2020/01 e cila i detyron “shërbyesit medial vizual që të ofrojnë sinjalin në baza e jo-diskriminuese dhe jo ekskluzive ndaj të gjithë operatorëve në mënyrë që publiku të mos jetë i privuar nga e drejta për informim të plotë e drejtë e garantuar edhe nga Kushteta e Kosovës”.

Atëherë shtrohet pyetja si është e mundur që shërbyes të caktuar “medial vizual” të operojnë me tarifa diametralisht të kundërta për operatorë të ndryshëm. Ndaj këtyre abuzimeve, ISP BROADCAST është ankuar në vazhdimësi në adresë të KPM-së, por kjo e fundit në vend të mbrojtjes së parimeve për qasje të barabartë në treg, ka zgjedhur të tjetërsohet  në agjent shtetëror të interesave financiare të kompanive si Artmotion.

Nuk ka dyshim se tolerimi i padrejtësive të tilla ka vetëm një qëllim mohimin e qasjes së barabartë në treg të operatorit ISP BROADCAST, duke e privuar atë nga shumë shërbime audio vizuale si KlanKosova, T7, Kanal 10, Dukagjini etj, për të cilat kanale vendos ARTMOTION dhe jo kanali vet sipas ligjit.

Ndërkohë, kjo sferë ishte e normuar edhe me Rregulloren KPM 2016/01. sipas Nenit 9 të këtij dokumenti “të licencuarit do të krijojnë kushte të barabarta për shpërndarjen e ofruesve të shërbimeve mediale audio-vizuale të kategorisë bartje e obligueshme, të licencuara nga KPM-ja, dhe trajtim jo diskriminuese të tyre.”  Kurse në bazë të nenit 10 “Statusin e bartjes së obligueshme në të gjithë operatorët e shpërndarjes e gëzojnë ofruesit e shërbimeve mediale audio-vizuale komerciale të licencuara nga KPM të cilat ofrojnë të paktën 25% program gjeneralistik në interes të publikut të gjerë në nivel kombëtar”.

Për më shumë, operatorë sikur Artmotion apo Telkos në mënyrë të hapur janë duke e shkelur edhe nenin 8 të Rregullores së KPM 2024/02 për “Mbrojtjen e Përdorueseve në Fushën e Ofrimit të Shërbimeve Mediale dhe Audiovizule”. Sepse në paragrafin 1 dhe 2 të këtij neni përcaktohet qartë se “ofruesit e shërbimeve nuk duhet të diskriminojnë përdoruesit bazuar në përkatësinë kombëtare apo çfarëdo përkatësie tjetër, vendbanimin ose vendndodhjen e përkohshme, duke marrë gjithmonë parasysh kufizimet e mbulueshmërisë së Operatorëve të shpërndarjes. Të gjithë qytetarët duhet të kenë qasje të barabartë dhe të drejtë në të gjitha shërbimet e ofruesve. Ofruesit e shërbimeve janë të detyruar të sigurojnë që praktikat e tyre të jenë të drejta dhe mos diskriminuese në të gjitha aspektet e ofrimit të shërbimit në zonën e mbulimit”.

Përfundimisht fakte të tilla tregojnë se KPM, sot nga mekanizëm që duhet të mbrojë këto standarde është shndërruar në çerdhe të shkeljes së tyre. Prandaj, këtij institucioni nuk i mbetet gjë tjetër pos edhe t’ia ndërrojë vetes edhe emrin të quhet Komisioni i Varur i Mediave të ArtMotion të Kosovës.

Kështu, nga Komision i Pavarur të quhet në zyre të kontabilitetit financiar për interesat e Artmotion dhe Telkos. Dhe me këtë rast ta legalizojë edhe formalisht shkatërrimin e misionit të saj.