Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) në mbledhjen e sotme të mbajtur në krye me kryetarin, Jeton Mehmeti, ka marrë vendimin për ta ndaluar transmetimin e kanaleve të “Arena Sport” në Kosovë.
Ky vendim vjen pasi që kanalet e “Arena Sport” shfaqën mesazhe mbështetëse dhe kërcënuese për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.
“Pas miratimit të agjendës, Kryetari z. Mehmeti tha se Zyra Ekzekutive e Komisionit të Pavarur të Mediave, më 1 tetor 2023, ka iniciuar monitorim ex-officio ndaj operatorëve të shpërndarjes, për shkak të dyshimit se disa operatorë shpërndajnë kanale me përmbajtje kërcënuese. Tashmë kemi prova se kanalet sportive të “Arena Sport” kanë transmetuar përmbajtje të cilat janë në kundërshtim me rregulloren e KPM-së 2020/01. Do të thotë, janë transmetuar video-mesazhe të cilat vijnë nga Serbia dhe të cilat kanë përmbajtje të cilat glorifikojnë sulmin terrorist në veri dhe mbi të gjitha janë mesazhe kërcënuese për qytetarët e Republikës së Kosovës. Prandaj rekomandoj që si Komision të marrim një vendim i cili i obligon operatorët e shpërndarjes që të ndalojnë menjëherë platformat e kanaleve “Arena” dhe kjo masë proporcionale do të vlejë deri në një vendim tjetër të Komisionit.
Pas diskutimeve për rastin edhe nga anëtarët tjerë të KPM-së, Komisioni mori vendim që të urdhërohen operatorët e shpërndarjes që menjëherë të ndalojnë transmetimin në platformat e tyre kanalet e “Arena Sport”, me qëllim të parandalimit të përmbajtjeve programore të cilat cenojnë interesin nacional dhe sigurinë e përgjithshme në Republikën e Kosovës. Kjo masë do të vlejë deri në një vendim tjetër të Komisionit”, shkruante në komunikatën e KPM-së.
Po ashtu, KPM ka bërë të ditur se Premier League duhet të informohet për vendimin e sotëm për ndalimin e transmetimit të kanaleve të “Arena Sport”, dhe të sqarohen mundësitë që kompanitë vendore kosovare të marrin të drejtat e transmetimit të Premier League për territorin e Republikës së Kosovës.
/TV Arbëria