Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Politika > ​Kovatchev: Heqja e regjimit të vizave për Kosovën duhet të vazhdojë pa vonesa

​Kovatchev: Heqja e regjimit të vizave për Kosovën duhet të vazhdojë pa vonesa

Gjatë qëndrimit dyditor në Strasburg, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, u takua me eurodeputetin nga Bullgaria, Andrey Kovatchev, nga grupi i Partisë Popullore Evropiane (EPP).

Në takim u diskutua mbi reformat e ndërmarra nga Qeveria dhe progresi i shënuar, rrugëtimin evropian dhe procesin e dialogut.

Kryeministri Kurti e njoftoi eurodeputetin Kovatchev me arritjet kryesore të qeverisë, e cila javën tjetër mbush plot dy vjet, duke veçuar sukseset në sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit të reflektuara dhe në raportet e rankimet ndërkombëtare.

Sipas njoftimit të Qeverisë, u fol edhe për takimin e radhës të nivelit të lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në ndërmjetësimin e BE-së që do të mbahet më 18 mars në Ohër, dhe për pritjet nga ai takim.

Eurodeputeti Kovatchev theksoi se heqja e regjimit të vizave për Kosovën duhet të vazhdojë pa vonesa, teksa kanë mbetur edhe pak hapa deri në përfundimin e këtij procesi. Ai po ashtu dha mbështetjen e tij të plotë për aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian. /TV Arbëria

Powered by WordPress