Të dielën e ardhshme, më 12 tetor 2025, qytetarët e Kosovës do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e komunave dhe anëtarët e kuvendeve komunale, në kuadër të Zgjedhjeve Lokale.
Në funksion të përgatitjeve për ditën e votimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka filluar trajnimin e mbi 15 mijë anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve në të gjitha 38 komunat e vendit. Programi trajnues synon t’i pajisë pjesëmarrësit me njohuri të nevojshme për procesin zgjedhor, përfshirë procedurat e votimit dhe të numërimit, votimin e personave me nevoja të veçanta si dhe votimin me kusht.
Në mbledhjen e fundit, KQZ ka miratuar emërimin e 14,305 anëtarëve për 2,571 vendvotime të rregullta dhe 54 vendvotime me kusht, ndërsa 1,200 anëtarë të tjerë janë caktuar si rezervë.
Ndërkohë, janë akredituar edhe 521 vëzhgues nga 26 organizata të ndryshme, përfshirë organizata ndërkombëtare, organizata joqeveritare dhe përfaqësi diplomatike që do të monitorojnë mbarëvajtjen e zgjedhjeve.
Zgjedhjet Lokale në Kosovë do të zhvillohen në 948 Qendra të Votimit, me gjithsej 2,625 vendvotime, duke përfshirë 910 qendra për votim të rregullt dhe 38 të tjera për votim me kusht, nga një për secilën komunë.