Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka njoftuar se “Mali Mokna dhe Liqeni i Ujmanit” janë vënë nën mbrojtje paraprake, duke e cilësuar këtë si një ndër vendimet më të rëndësishme për mbrojtjen e natyrës në Kosovë.
Në një postim në Facebook, Durmishi ka bërë të ditur se me këtë vendim, Kosova bëhet shteti me përqindjen më të lartë të territorit nën mbrojtje të natyrës në gjithë Ballkanin Perëndimor.
“Të dashur qytetarë, javën e kaluar kam nënshkruar vendimin për mbrojtje paraprake të ‘Malit Mokna dhe Liqenit të Ujmanit’, një nga vendimet më të rëndësishme për mbrojtjen e natyrës në vendin tonë,” ka shkruar Durmishi.
Sipas tij, pas një studimi njëvjeçar në terren, është konstatuar se kjo zonë përbën pasuri të rrallë natyrore, me biodiversitet të pasur dhe peizazhe me rëndësi të veçantë ekologjike e shkencore.
Zona me sipërfaqe prej 192.19 km² tashmë është vënë nën mbrojtje paraprake, duke e ngritur në 12.4% përqindjen e territorit të Kosovës që mbrohet ligjërisht.
Durmishi theksoi se ky është një hap i rëndësishëm drejt ruajtjes së trashëgimisë natyrore dhe zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.