Shkruan I.A
Nuk është më lajm i ditës, as titull që trazon opinionin publik. Është bërë pjesë e përditshmërisë sonë. Shtëpitë që mbesin gjysmë të zbrazëta dhe lagjet që humbin zërat e rinj flasin më shumë se çdo statistikë. Ikja nga Kosova nuk ndodh më me zhurmë, por në heshtje.
Të rinjtë po largohen jo sepse nuk e duan vendin, por sepse nuk po e shohin veten në të. Diplomat po mbesin në sirtarë, ndërsa ëndrrat po paketohen në valixhe. Në një shtet ku puna shpesh nuk fitohet me meritë, por me lidhje, shpresa bëhet luks.
Ironia është e dhimbshme: Kosova investon në arsim, por frytet e këtij investimi i korrin shtete të tjera. Gjermania, Zvicra, Austria. Ndërsa ne mbesim me statistika, strategji dhe premtime të përsëritura për reforma që rrallë ndihen në jetën reale të qytetarëve.
Politika flet për zhvillim ekonomik, por qytetari përballet çdo ditë me pasiguri. Çmimet rriten, pagat mbesin të ulëta dhe jeta bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u përballuar. Strehimi, që duhet të jetë nevojë bazike, po shndërrohet në privilegj për pakicën, ndërsa për shumicën mbetet vetëm një shqetësim i përhershëm.
Ka kompani private që po marrin rolin që historikisht do të duhej ta kishte shteti: të punësojnë njerëz që kërkojnë të largohen nga vendi. Ka raste kur këto kompani po bëjnë punën që shteti nuk po arrin—të krijojë perspektivë dhe mundësi për qytetarët që dëshirojnë të qëndrojnë.
Në këtë realitet, largimi nga vendi nuk shihet më si tradhti. Për shumëkënd, ai perceptohet si një zgjedhje e detyruar për dinjitet dhe mbijetesë. Kur shteti nuk ofron perspektivë, qytetari kërkon shpresën diku tjetër.
Më shqetësuese se ikja është normalizimi i saj. Kur prindërit u thonë fëmijëve “shko, këtu s’ka të ardhme”, atëherë problemi nuk është individual, por institucional.
Kosova nuk po humb vetëm njerëz. Po humb energji, ide, zë kritik dhe potencial zhvillimor. Dhe nëse kjo heshtje vazhdon, rrezikojmë të mbetemi një shtet i ri me popull të plakur, duke u përballur vonë me pyetjen: ku gabuam?