Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > KOSOVA NUK ËSHTË TERRITOR I PADEFINUAR, AS OBORR I SERBISË!

KOSOVA NUK ËSHTË TERRITOR I PADEFINUAR, AS OBORR I SERBISË!

Shkruan: Basri Beka

Nuk ka rëndësi nëse personeli ushtarak serb hyn në Kosovë për takim me KFOR-in, me ndonjë organizatë ndërkombëtare apo në çfarëdo cilësie tjetër. Përderisa Serbia nuk e njeh Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran, çdo hyrje e personelit të saj ushtarak në territorin tonë duhet të trajtohet me seriozitet maksimal, me transparencë dhe mbi bazën e reciprocitetit shtetëror.

KFOR-i ka mandat të ruajë një mjedis të sigurt, por ky mandat nuk duhet të keqpërdoret për të relativizuar sovranitetin e Kosovës apo për të krijuar përshtypjen se Serbia ka ndonjë status të veçantë në raport me shtetin tonë.

Për mua, çdo personel ushtarak i një shteti që nuk njeh sovranitetin e Kosovës, i cili hyn në territorin tonë pa autorizim të qartë, pa transparencë dhe pa garanci institucionale, duhet të trajtohet si çështje e sigurisë kombëtare, deri në vlerësimin e tij si objektiv ushtarak.

Nuk mund të kërkohet respektimi i sovranitetit të Serbisë, ndërkohë që sovraniteti i Kosovës trajtohet si çështje protokolli.

Kosova është shtet. Sovraniteti i saj nuk negociohet në korridoret e diplomacisë dhe as nuk relativizohet nën logon e NATO-s!