Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kosova nuk do të ketë përftime shtesë si nga fitorja e Donald Trump ashtu edhe Kamala Harris

Kosova nuk do të ketë përftime shtesë si nga fitorja e Donald Trump ashtu edhe Kamala Harris

Shkruan: Afrim Kasolli

Është bërë zakonshme, që sa herë që afrohen zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të shtohet adrenalina politike edhe në Kosovë se cili prej kandidateve të mundshëm do të ishte më i mirë për Kosovën nëse i fiton zgjedhjet.

Kjo praktikë thuajse ka dominuar që nga viti 1992, kur edhe ish presidenti i vjetër Bush, e kishte formuluar atë që njihet si kërcënimi i kërshëndellave, me anë të cilave paralajmërohej Serbia e Miloshevicit, se në rast të eskalimit të krizës në Kosovë, SHBA-të nuk do të qëndrojnë duarkryq. “Profeci” të tilla politike janë duke e shoqëruar edhe garën aktuale ndërmjet kandidatit nga Partia Republikane, ish-presidentit Donald Trump dhe nën presidentes, nga Partia Demokratike, Kamala Harris. Madje, për dallim nga zgjedhjet e kaluara, të paktën politika zyrtare e Kosovës qëndronte “indiferente” nga preferencat e elektoratit amerikan, kësaj here, Qeveria e Kosovës është pozicionuar pro Partisë Demkorkatike.

Megjithatë, për fatin e keq e të Kosovës, tash e tutje, pavarësisht se kushdo të jetë në krye të Shtëpisë së Bardhë, kalkulime të tilla janë jo shumë relevante. Presidenti aktual, Joe Biden, mbase mbetet drejtuesi i fundit amerikan, që ndryshe mund të quhet dhe si lideri trans-atlantik.

Pas tij edhe nëse në krye të SHBA-së do te jetë Kamala Harris, situata do të jetë ndryshe. Një Amerikë gjithnjë e më pak e interesuar për kontinentin evropian dhe gjithnjë e më fokusuar për zhvillimet në Lindje të Largët, do të jetë Amerika e së ardhmes. Rivaliteti gjeopolitik me Kinën do ta karakterizojë orientimin kryesor strategjik tw Uashingtonit. SHBA do të ballafaqohet me detyra imediate për përfundimin e luftës në Ukrainë dhe në Lindje të Mesme, për t’u përkushtuar në kufizimin e synimeve revizioniste të Kinës.

Kosova ka përfituar nga rendi unipolar amerikan që mori jetë pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Po ashtu, është e vërtetë se deri më tani Uashingtoni, sidomos nëpërmjet NATO-së, por dhe mekanizmave tjerë multilateralë, ka pasur rol primar në ndërtimin e arkitekturës së sotme evropiane. Dhe në këtë drejtim ka ekzistuar një konsensus i plotë pavërisht se cila parti e ka drejtuar administratën amerikane, përkushtimi si ndaj interesave trans-atlantike mbetet i pandryshuar.

Natyrisht, kjo nuk do të thotë së SHBA-të do të jenë kundër Kosovës. Përkundrazi. Mirëpo, kjo e fundit nuk do të ketë trajtim të privilegjuar siç e ka gëzuar për gjatë kësaj kohe. Kështu, ndaj Prishtinës vetëm do të kërkohet që të jetë konstruktive në procesin e dialogut me Serbinë, si dhe t’i zbatojë detyrimet nga marrëveshjet e dokorduara në Bruksel dhe në Ohër, lehtësuese e së cilës është Bashkimi Evropian. Ndërkohë, ky i fundit, gjithnjë e më shumë po e dëshmon vetën si një aktor periferik global. Madje, shembull mund të merret edhe dështimi në raport me procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili ka filluar që më shumë se një dekadë. /tvarbëria/

Themes by WordPress