Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kosova nën “Trump 2”

Kosova nën “Trump 2”

Shkruan: Afrim Kasolli

 

Ish-presidenti amerikan Donald Trump, pas fitores spektakulare në Ajova dhe asaj në Nju Hempshër, duket që po marshon në mënyrë të suksesshme drejt sigurimit të nominimit të kandidaturës nga Partia Republikane për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që do të mbahen në nëntor të këtij viti.

Ndërkohë, shumë hulumtime të opinionit publik, kanë pohuar se poashtu Trump, nuk i ka të pakta gjasat për t’i fituar as këto të fundit.

Dhe kështu t’i marrë në dorë frenat e politikës së shtetit të më të fuqishëm në planet.

Një fitore e re Donald Trump-it, pas humbjes që kishte pësuar para katër viteve kundër presidentit aktual Joe Biden, mund të ndodh në një kontekst tejet të acaruar politik ndërkombëtar.

Jemi në një moment krucial, shkruante para pak dite analisti i njohur amerikan Fareed Zakaria në shkrimin “At Davos, all Eyes are on America’s Presidential Election”, të botuar në Washingotn Post, sepse ka filluar të zbehet pesha e rregullave dhe së drejtës ndërkombëtare, të cilat i shërbyen njerëzimit për disa dekada.

Në Evropë, pushtimi i Ukrainës nga Rusia e ka bërë gjithnjë e më të pasigurt sistemin e sigurisë që merrej si i mirëqenë. Ndërkohë, në Lindje të Mesme, Irani me aleatët e tij ideologjikë dhe strategjikë, sikur se, Hamasin, Hezbollahun dhe grupin rebel Huthi, gjithnjë e më shumë janë duke i luftuar parametrat e deritanishëm të balancës së pushtetit në atë rajon.

Pasojat e këtij agravimi tashmë po vërehen edhe në ekonominë globale, për shkak të luftimeve në Detin e Kuq, duke ndikuar në mbylljen e njërës prej rrugëve kryesore të qarkullimit detar.

Kurse në Lindje të Largët, Kina gjithnjë e më shumë është mobilizuar në revizionimin e rendit aktual ndërkombëtar. Duke mos përjashtuar këtu as provokimet e Korës së Veriut, për shkak te testimit të armëve të saj bërthamore dhe retorikës agresive luftarake.

Në këtë kontekst, çfarë do të shënonte për botën një rikonfirmim i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, nëse ai i mban premtimet që është zotuar si kandidat për president.

Kohe pas kohe, ai ka kërcënuar se do ta largonte Amerikën nga NATO, e cila siç dihet është themeluar kryesisht me insistimin e Uashingtonit për të ndërtuar një ombrellë të sigurisë kolektive.

Natyrisht, herën e parë nuk e ka bërë një gjë të tillë, por siç ka pohuar  Anne Applebaum, në shkrimin “Trump Will Abandon Nato” në revistën “The Atlantic”, megjithatë gjatë atij mandati, ka qenë i rrethuar nga njerëz si Jim Mattis, John Kelly, Rex Tillerson, Mike Pompeo, madje edhe Mike Pence, të cilët i takojnë establishmentit tradicional të Partisë Republikane, e që e njohin mirë e peshën dhe përgjegjësinë e Amerikës në botë, si ndaj aleatëve ashtu edhe në garantimin e sigurisë globale.

Madje, siç dihet nën menaxhimin dhe drejtimin e të parit ndodhen ndryshimet ligjore që i hapën rrugë formimit të Ushtrisë së Kosovës.

Për më tepër, që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore në Uashington ka dominuar një konsensus mbipartiak sa i përket këtyre temave, pavarësisht se a kanë qenë në pushtet republikanët apo demokratët.

Ndërkohë, stabiliteti, siguria dhe paqja e gjatë që ka dominuar në Evropë nuk është se ka qenë rezultat i triumfit të post-historisë, por e ndërtimit të strukturave multinacionale të sigurisë më epiqendër Uashingtonin.

Dhe largimi i këtij të fundit nga kjo rrjetë nën sloganin “Amerika e para” nëse do bëhej real, do të shënonte fillimin “apokaliptik” të kaosit botëror. Nën peshën, e këtij kërcënimi ish-kryeministri i Suedisë Carl Bildt ka deklaruar le të marrim shembull vetëm “aplikimin e vendit tim dhe Finlandës për anëtarësim në NATO.

Me këtë hap e braktisëm politikën e deritanishme të neutralitetit me shpresën se do ta gëzojmë mbështetjen e trupave amerikane.

Por në mungesë të kësaj mbështetje në të ardhmen e fituam edhe më shumë armiqësinë e Rusisë, Por çka nëse pas një fitore eventuale Trump vërtetë tërhiqet nga kjo aleancë”. Kështu shumë vende evropiane do t’i ekspozoheshin drejtpërdrejtë kthetrave kërcënuese të Putinit në kohën kur më së paku do të duhej të ndodhte.

Sidoqoftë, edhe Kosova mund të jetë cak i këtyre ndryshimeve radikale gjeopolitike.

Dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për tensionet e mundshme që do të lindnin me Qeverinë e Kosovës të drejtuar nga Albin Kurti, siç kemi pasur rastin t’i shohim edhe gjatë mandatit të parë, të cilat rezultuan në një konflikt të hapur me ish-ambasadorin amerikan në Gjermani Richard Grenell. Por më shumë për të ardhmen  e sigurisë së Kosovës.

Që nga përfundimi i luftës qytetarët e Kosovës e kanë ndier vetën të sigurt dhe të mbrojtur nga një agresion i mundshëm nga Serbia pikërisht për shkak të prezencës së NATO-së, si garantuese e paqes dhe sigurisë.

E kjo siguri është varur kryesisht nga prezenca e ushtarëve amerikanë në kuadër të trupave të KFOR-it.

Prandaj, me të drejtë mund të shtrohet pandehma se çka do të ndodhë nëse pas nëntorit, do të  shndërrohet në qëndrim strategjik të politikës së jashtme supozimi se “konfliktet në Evropë nuk kane asnjë vlerë për jetërat e amerikanëve.

Dhe se tërheqja e ushtarëve tonë nga atje do t’ia kursente miliona dollarë çdo vit SHBA-ve”.

 

 

Themes by WordPress