Shkruan: Basri Beka
Arrestimet e fundit në operacionin “MEGA” dhe dyshimet për financim të ISIS-it përmes rrjeteve që vepronin nga Prishtina duhet të jenë kambanë alarmi për gjithë shtetin.
Prej vitesh flitet publikisht për para me origjinë të dyshimtë që qarkullojnë në ekonomi. Shumë e kanë arsyetuar këtë fenomen me logjikën e gabuar: “shyqyr që po ndërtohet e po punohet”. Por asnjë ndërtesë, biznes apo investim nuk mund ta justifikojë depërtimin e parave të terrorizmit, drogës dhe krimit të organizuar në ekonominë e Kosovës.
Nëse nuk goditen rrënjët e pastrimit të parave, nesër mund të përballemi me pasoja të rënda: izolim ndërkombëtar, korrupsion më të madh, cenim të sigurisë kombëtare dhe depërtim të rrjeteve ekstremiste në zemër të shtetit.
Kosova nuk guxon të bëhet strehë e parave të pista. Kërkohet hetim i plotë, transparencë e plotë dhe goditje pa kompromis ndaj çdo rrjeti që financon terrorizmin ose pastron para në territorin e Republikës së Kosovës.