Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kosova nën masa sanksionuese nën dritën e fuqizimit të së djathtës politike evropiane

Kosova nën masa sanksionuese nën dritën e fuqizimit të së djathtës politike evropiane

Shkruan: Afrim Kasolli

Ditën e djeshme u raportua se veprimet e para pak ditëve të Kosovës në mbylljen e objekteve të Bankës Kursimore të Serbisë, në veri të vendit, do të përfshihen në raportin e përfaqësuesit për politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian për (mos) suspendimin e masave sanksionuese të Kosovës.

Këto masa ishin vendosur ndaj Kosovës me arsyetimin se me veprimet njëanshme në veri i kishte kontribuar në atë që u quajt si përkeqësim i situatës së sigurisë si dhe tensionimit të raporteve ndër etnike.

Ndërkohë, edhe aksioni i fundit i Policisë së Kosovës u dënua ashpër si nga Bashkimi Evropian ashtu edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fillimisht, Departamenti amerikan i Shtetit shprehu zhgënjimin për mbylljen nga policia e Kosovës të gjashtë njësive të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë në veri të vendit, duke thënë se “ky veprim nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë” dhe se ai “përshkallëzon tensionet”. Po ashtu, edhe Bashkimi Evropian e ka quajtur përzhkallëzues këtë aksion. Këto cilësime nënkuptojnë se nëse vlerësime të tilla përfshihen në raportin e Josep Borrellit, atëherë gjasat që masat të hiqen zbehen edhe më shumë. Dhe kështu Kosova të mbetet nën peshën e tyre deri në krijimin e strukturave të reja përfaqësuese të Bashkimit Evropian, që do të dalin pas përfundimit të zgjedhje të reja që do mbahen muajin tjetër për Parlamentin Evropian. Pjesë e këtij aranzhimi pa dyshim se do të jetë edhe fati i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe zbatimi i marrëveshjeve për normalizimin e dy vendeve të dakorduara sipas planit franko-gjerman.

Mirëpo, shtrohet pyetja se nga kjo zvarritje a do të mund të komplikohet edhe më tej pozicioni ndërkombëtar i Kosovës, pas përfundimit të këtyre proceseve të sipër-cekura. Sepse sipas të gjitha të dhënave të hulumtimeve të opinionit publik, partitë e së djathtës ekstreme do të shënojnë një rritje të ndjeshme elektorale në këto zgjedhje. Rezultate të tilla po ashtu vetëm sa do ta shtonin klimën armiqësore në kundër të institucioneve të BE-së kudër Kosovës. Një gjë të tillë e konfirmon për Evropën e lirë edhe Vesko Garçeviq, i cili ka shërbyer si ambasador i Malit të Zi në Bruksel, dhe tani profesor i Praktikës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Bostonit. Ai ndër të tjera shton se “për shkak të ideologjisë dhe jo interesave në rajon, partitë e ekstremit të djathtë do të dalin në anën e Serbisë dhe do ta mbështesin atë kundrejt Kosovës”

Kuptohet, për suspendimin e masave janë tjera instanca që vendosin dhe jo Parlamenti Evropian, mirëpo sa më shumë që zbehet përkrahja nëpër sallonet e shumëfishta të politikës evropiane aq më shumë do të shtohet presioni mbi Kosovën. Kurse në anën tjetër, në këtë mënyrë Serbisë vetëm do t’i lehtësohej ambienti dhe do të gjente mirëkuptim në ndjekjen e strategjisë së saj shtetërore për raporte miqësore edhe me Kinën edhe me Rusinë edhe me Perëndimin. /TVArbëria/

Themes by WordPress