Shkruan: Bahri Beqiri
Që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Uashingtonit në shtator 2020, që u cilësua si një hap i rëndësishëm drejt normalizimit ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e SHBA-ve, pritjet për përmirësim të qëndrueshëm të marrëdhënieve ishin të larta. Më pas, në mars të vitit 2023, Bashkimi Evropian shpalli një “marrëveshje të dakorduar” për normalizim politik, duke krijuar përshtypjen se procesi po hynte në një fazë përmbyllëse. Megjithatë, realiteti në terren ka dëshmuar të kundërtën: zbatimi i marrëveshjeve ka ngecur, ndërsa tensionet dhe mosbesimi mes palëve janë thelluar më tej.
Në qendër të kësaj gjendjeje ndodhet Kosova, e cila përballet me sfida të mëdha në përpjekjen për të konsoliduar shtetësinë dhe për të garantuar sigurinë e brendshme. Ngjarjet e vitit 2023, veçanërisht sulmi terrorist në Banjskë, ishin një kujtesë e dhimbshme se kërcënimi për sigurinë dhe rendin kushtetues të Kosovës është ende i gjallë. Ky sulm, i organizuar dhe i ekzekutuar nga një grup paramilitar serb i lidhur me struktura politike në Beograd, tregoi qartë se rreziku nuk është vetëm simbolik, ai është i drejtpërdrejtë, i armatosur dhe destabilizues për mbarë rajonin.
Si përgjigje, Qeveria e Kosovës ka shtuar përpjekjet për të shtrirë autoritetin në tërë territorin e saj, veçanërisht në veriun e banuar me shumicë serbe. Këto hapa, ndonëse legjitimë dhe të domosdoshëm për funksionimin e një shteti demokratik, janë ndërmarrë shpesh pa një koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me Bashkimin Evropian, i cili ka pasur rol ndërmjetësues në dialog.
Nga ana tjetër, perspektiva e anëtarësimit në BE mbetet e paqartë dhe larg realitetit, duke ofruar pak nxitje konkrete për Kosovën që të angazhohet sinqerisht për një marrëveshje përfundimtare. Për Kosovën, kjo mungesë e një perspektive të qartë për integrim është veçanërisht dëshpëruese, duke marrë parasysh përkushtimin institucional dhe përparimin demokratik të arritur ndër vite.
Në këtë kontekst, roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është bërë më i rëndësishëm se kurrë më parë. SHBA mbetet partneri më i qëndrueshëm dhe më i besueshëm i Kosovës – në mbrojtjen e shtetësisë së saj, forcimin e institucioneve demokratike dhe sigurimin e paqes afatgjatë. Ndërmjetësimi amerikan, i bazuar jo vetëm në interesa gjeopolitike por edhe në parime të drejtësisë dhe stabilitetit, është thelbësor për ta çuar përpara një marrëveshje reale dhe të zbatueshme.
Siç shkruante Immanuel Kant në librin e tij “Zum ewigen Frieden” – “Për paqen e përhershme”, paqja nuk mund të ndërtohet mbi iluzione të përkohshme, por mbi parime të barazisë, respektit të ndërsjellë dhe sundimit të ligjit dhe e së drejtës ndërkombëtare. Kosova sot ka nevojë për një paqe të tillë, jo të imponuar, por të ndërtuar mbi të vërtetën, drejtësinë dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të saj.
Në fund të kësaj, çështja e Kosovës nuk është vetëm një konflikt i pazgjidhur ballkanik, por është një test i vlerave evropiane dhe i sinqeritetit të angazhimit ndërkombëtar për paqe dhe drejtësi.