Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Kosova në ‘sitën’ e Transparency International: Demantohet ‘lufta’ ndaj korrupsionit, ka propagandë

Kosova në ‘sitën’ e Transparency International: Demantohet ‘lufta’ ndaj korrupsionit, ka propagandë

Raporti i Transparency International për vitin 2023, ka treguar se Kosova nuk ka shënuar ndonjë progres sa i përket luftës ndaj korrupsionit dhe sundimit të ligjit duke e rënditur vendin tonë sa i përket indeksit të korrupsionit në numrin 41.

Madje sipas raportit thuhet se Kosova e Serbia pothuaj janë një vijë sa i përket kësaj lufte ku Kosova është vlerësuar me 41 pikë, po aq sa ishte vlerësuar në vitin e kaluar, ndërsa zë vendin e 83-të në ranglistën botërore.

“Pozitën e 83-të, Kosova e ndan me vendet si Burkina Faso, Afrika e Jugut dhe Vietnami. Në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova sivjet renditet e treta, pas Malit të Zi (në vendin e 63), dhe Maqedonisë së Veriut (në vendin 76).

Pas Kosovës rezultate më të dobëta kanë Shqipëria (në pozitën 98), Serbia (në pozitën 104) dhe Bosnjë e Hercegovina (në pozitën 108). Është për t’u theksuar fakti se përgjatë 12 viteve prej kur Kosova është bërë pjesë e vlerësimit të CPI, është shënuar progres inkremental prej 7 pikësh, nga 34 pikë në vitin 2012 në 41 pikë në vitin 2023”, thuhet në njoftimin e KDI-së.

Madje KDI thekson se progresi i ngadaltë por i qëndrueshëm i Kosovës në dekadën e fundit është kryesisht rezultat i progresit demokratik, që i atribuohet mbajtjes së zgjedhjeve të lira dhe transferimit paqësor të pushteteve përgjatë viteve.

LEXO EDHE: ‘Indeksi i korrupsionit’ – Kosova me 41 pikë, KDI: Kërkohet përkushtim i plotë në luftimin e korrupsionit

E lidhur me këtë për TV Arbëria ka jep vlerësime analisti dhe filozofi, Afrim Kasolli i cili ka theksuar se raporti i fundit i Transparency International e thotë qartë se në Kosovë jo vetëm që nuk është shënuar ndonjë progres në luftën kundër korrupsionit dhe sundim të ligjit, por ajo që është më shqetësuese nuk ka gatishmëri politike për reforma dhe për të hequr dorë prej ndërhyrjeve politike në gjyqësor.

“Këtu nuk duhet harruar se sulmet politike ndaj sistemit të gjyqësorit janë shpeshtuar tej mase kohën e fundit. Në këtë drejtim, në masë të madhe është veçuar ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu si dhe numri dy i Qeverisë së Kosovës Besnik Bislimi. Këta dy zyrtarë të pushtetit thuajse në një mënyrë të orkestruar kanë zhvilluar fushata politike ndaj sistemit juridik në vend. Prandaj, edhe raporti në fjalë nuk kishte si të ishte ndryshe. Ai e thotë tekstualisht se “ndërhyrja e vazhdueshme e Qeverisë në çështjet e gjyqësorit bashkë me ndërhyrjen e deputetëve të shumicës në hetimin parlamentar për një rast të madh të korrupsionit, sugjerojnë se nuk ka vullnet politik për të hequr dorë prej kontrollit dhe për forcim të mbikëqyrjes së pavarur”, thekson Kasolli.

Ai ka shtuar se rrjedhimisht raporti i Transparency International e demanton njërën prej premtimeve kryesore të këtij pushteti, atë të reformave në drejtësi.

Sepse sipas tij, tashmë po kuptohet që ky proces nuk është zbatuar jo pse ky pushtet ka qenë i penguar nga opozita apo instanca tjera për ta implementuar zotimin e tij madhor publik, por sepse nuk ka pasur vullnet politik nga shumica parlamentare, dhe për më shumë kjo fundit e ka penguar politikisht hetimin e rasteve korruptive.

Mirëpo ai ka shtuar se duhet kujtuar se ky nuk është raporti i vetëm ndërkombëtar që konstaton intervenimet politike ne sistemin e drejtësisë, ngase jo shumë kohë më parë edhe raporti i ekspertëve eminentë të Këshillit të Evropës kishte bërë thirrje për respektim të plotë të vendimeve të gjyqësorit dhe për frenim të sulmeve politike ndaj gjykatave vendore.

Derisa deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka theksuar se ka propagandë e jo luftë kundër korrupsionit.

“Sot, Transparency International publikoi Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit (CPI) për vitin 2023. Sipas këtij raporti Kosova është vlerësuar me 41 pikë, po aq sa ishte vlerësuar edhe në vitin 2022. Kosova vendin e 83-të në ranglistën botërore e ndan me Burkina Fason, Afrikën e Jugut dhe Vietnamin. Në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova është pas Malit të Zi që rënditet në vendin e 63, dhe pas Maqedonisë së Veriut që rënditet në vendin 76”, ka shkruar Bajrami në reagimin e saj.

Ajo ka shtuar se nuk ka si të ketë vlerësim ndryshe, kur sipas raportit të Komisionit Evropian, në vitin e fundit janë lidhur 2140 kontrata njëburimore.

“Nuk ka si me pasë vlerësim ndryshe kur në raportin e fundit për vendin të Komisionit Evropian (fq. 71-72) thuhet se vetëm në vitin e fundit janë lidhë 2140 kontrata pa publikim të tenderit dmth. me negocim të drejtëpërdrejtë/njëburimore. Ka propagandë, nuk ka luftë kundër korrupcionit!”, ka shkruar ajo.

LEXO EDHE: Bajrami për raportin e TI: Ka propagandë, s’ka luftë kundër korrupsionit

Indeksi radhit çdo vit 180 shtete dhe territore të botës në bazë të nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik.

Ai përdor një metodologji pikësh, sipas së cilës zero tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 për një vend të pastër nga kjo dukuri. /TV Arbëria

 

Themes by WordPress