Në një intervistë për TV Arbëria, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka pohuar se nuk qëndrojnë zërat se politika e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk ka qenë konsistente në raport me Kosovën. Sipas tij, pavarësisht presidentëve apo administratave që kanë qenë në pushtet, politika e SHBA-ve ka qenë unike në mbështetje të Kosovës. Kuptohet, ka pasur president që kanë ndjekur një strategji më të hovshme dhe më dinamike, mirëpo dallime esenciale nuk ka pasur.
Prandaj, pavarërisht ndryshimeve që mund të ndodhin në krye të SHBA-së, ai është shprehur i bindur,se kjo mbështetje do të vazhdojë në aspektin diplomatik, të mbrojtjes, ekonomik etj.
Po ashtu, ministri Maqedonci ka treguar për hapat që ka hedhur shteti ynë në drejtim të përafrimit me NATO-në, sidomos në dimensionin e mbrojtjes, dhe ndërtimit të kapaciteteve të tilla.
Kosova, pohon zyrtari më i lartë i mbrojtjes e ka një ekip të NATO-së brenda kësaj Ministrisë që e drejton, si dhe FSK-, e i cili është duke ndihmuar në përafrimin e Ushtrisë me Aleancën veri atlantike. Por kuptohet që integrimi në kuadër të kësaj organizate i takon vendimmarrjes politike. Dhe duhet të ketë konsensus të plotë edhe nga vendet mos-njohëse sa i përket pranimit eventual të Kosovës, të cilat po hezitojnë në këtë drejtim.