Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Kosova në kushtet e kaosit botëror

Kosova në kushtet e kaosit botëror

Shkruan : Afrim Kasolli

Ka kohë që në mendimin strategjik po dominon teza se me rënien fuqisë planetare të Shteteve te Bashkuara të Amerikës, stafetën e këtij lidershipi mund ta përvetësojë Kina. E që së bashku me Rusinë dhe vendet tjera satelite do ta formësojnë aksin e shteteve autokratike si model politik dhe ideologjik për botën. Madje krizat gjithnjë e të stërzgjatura në vatrat e nxehta gjeopolitike, po perceptohen si shenjë tipike tkurrjes së rolit ndërkombëtar të SHBA-së.

Mirëpo, e vërteta është se as dy shtetet e sipër cekura nuk janë në pozitë më të mirë. Përkundrazi, ritmi i rënies së tyre është edhe më i shpejt se sa i SHBA-ve. Dhe kjo e fundit do të jetë në pozitë shumë më të favorshme për një kohë të gjatë. Por nuk do të jetë ajo që ishte deri më tani. Siç e thotë, studiuesi i njohur i marrëdhënieve ndërkombëtare Robert Kaplan, sfida kryesore me të cilën do të përballet bota në epokën që po vjen, nuk do të jetë se do të ketë zëvendësim për SHBA-në, por se askush nuk do të jetë në gjendje ta trashëgojë ndikimin e saj. Duke ndikuar kështu që kaosi të jetë perspektiva zymtore e së ardhmes.

Bie fjala, sipas këtij autori, vet fakti se lufta në Ukrainë ka hyrë në vitin e tretë është një lloj dëshmie e kësaj rënie të shumëfishtë. Sepse asnjëra palë nuk kanë kapacitete për ta përmbyllur atë që filluan. Por ngjashëm edhe në Lindje të Mesme. Luftërat e dikurshme të Izraelit me shtetet arabe zgjatnin kryesisht nga një javë. E kundërta e saj që po ndodh aktualisht. Lufta në rripin e Gazës ka hyrë në vitin e dytë, pa përjashtuar as Libanin, e të mos flasim për luftën civile në Jemen që po dominion tash e sa kohë. Ku dy grupe të ndryshme në armiqësi me njëra tjetrën të mbështetura nga dy shtete rivale rajonale, si Arabia Saudite dhe Irani janë bërë burim i tmerrit që e ka kapërthyer atë shtet. Pra në të gjitha kot raste shtegdalja nga rrethi vicioz i dhunës nuk duket në horizont.

Dhe kjo zvarritje e konflikteve konstaton autori në fjalë është pasojë e drejtpërdrejt e rënies së SHBA-ve. Fakti se dikur burrështetasit amerikanë kishin më shumë suksese diplomatike në sigurimin e zgjidhjeve afatgjate është pasojë e impaktit më të madh të shtetit të tyre. Madje, duket që ndjeshmëri të tillë të jenë shndërruar edhe në disponim kolektivi edhe në shoqërinë amerikane, çfarë ka ndikuar që të marr përkrahje masive, premtimi “Make Amrerica Great Again” (MAGA) si dhe America First( Amerika e Parra). Mirëpo, që ka pak gjasa që në rrethanat aktuale edhe ky projekt politik t’i ndryshojë trende të tilla.

Në këtë kontekst, tashmë bota që jemi mësuar të jetojmë do të bëhet gjithnjë e më pasigurt. Krizat do të shpeshtohen. Kurse në kushtet e një kaosi ndërkombëtar do të shpenzohen mjetet dhe mundësitë për t’i menaxhuar dhe kontrolluar këto do të fundit. Shtete si Kosova do ta ndjejnë më shumë se të tjerat vorbullën e “anarkisë që po troket”. Në fund të fundit, suksesi ndërkombëtar i shtetit të Kosovës ishte i lidhur me dominimin unipolar amerikan. Dhe me davaritjen e tij, ekzpozimi ndaj paqartësive dhe rrezikut të gjithanshëm do të jetë fat i pashmangshëm.