Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Kosova në kaos, Lugina e Preshevës në zhdukje Si po ia arrin Serbia qëllimit të saj në Kosovë

Kosova në kaos, Lugina e Preshevës në zhdukje Si po ia arrin Serbia qëllimit të saj në Kosovë

SHKRUAN: Agron Hoti
E ndihmuar nga Rusia dhe qarqe evropiane ia ka arritur që përmes Gjykatës Speciale ta eliminojë UÇK-në nga skena politike dhe ta fusë Kosovën nën sabotazh që e ka paralizuar jetën në Kosovë. Mbi këtë bazë ajo heshtazi po e bën autonominë në veri, ku Kosova tashmë e ka humbur sovranitetin, sepse nuk kontrollon më pothuajse asgjë atje.
Përderisa ne po vendnumërojmë në zgjedhje pas zgjedhjesh, ku secili secilin po e quan argat të Serbisë, kjo e fundit me qetësi të padurueshme po i pasivizon adresat e shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Në vend që ne t’i drejtojmë tytat dhe shtizat kah Serbia, i kemi kthyer ato kundër njëri tjetrit. Pra, përderisa ne i kemi hyrë gërshërë njëri tjetrit, Serbia u ka hyrë gërshërë shqiptarëve të Luginës dhe këtë po e bën me shpejtësi drite.
Dje nuk e deshëm Luginën e Preshevës me shqiptarë, sepse thonim nuk e japim veriun me serbë. Kurse nesër do ta duam ndoshta, por nuk do të ketë më asnjë shqiptar aty. Pra, nesër s’do të kemi as Luginë të Preshevës dhe as veri të Kosovës. Veriun e humbën sot, Luginën nesër. Më antikombëtare se kaq s’ka se si të jetë politika e atyre që vazhdojnë të shesin patriotizëm ditën e të bashkëpunojnë me serbë natën. Luaje macë kokën e buallit – thotë një fjalë popullore.
Lëre që Kosova e ka harruar tërësisht Luginën e Preshevës, po ç’është më fatalja edhe raportet me Shqipëri e shqiptarë të Maqedonisë së Veriut kurrë më të këqija s’i ka pasur, ndërkohë që diaspora kurrë më e përçarë nuk ka qenë. Sa më shumë që Kosova po i prish raportet me troje shqiptare dhe me SHBA, aq më thellë po na futet Serbia në Kosovë, ndërkohë që evropianët vetëm po bëjnë sehir, ngase po korrin investimet e veta politike.