Shkruan: Afrim Kasolli
Deklarimi i Presidentit të sapo zgjedhur të SHBA-ve, Donald Trump, se nuk e përjashton as përdorimin e forcës, me qëllim pushtimin e ishullit të Grendlandës si dhe rimarrjen nën kontroll të Kanalit të Panamasë, nga ky shteti Amerikës Latine, ka shkaktuar shok diplomatik në nivel global.
Sipas të parit të Shtëpisë së Bardhë, sovraniteti amerikan mbi “ishullin e akullt” që po shkrihet më shpejtësi meteorike është interes nacional i SHBA-ve. Kurse sa i përket Kanalit të Panamasë, “ripushtimi” i tij është bërë imperativ strategjik, ngase shteti i Panamasë ka abuzuar me gjenorezitetin e Uashingtonit. Ky i fundit, ua kishte dorëzuar të parëve administrimin e Kanalit, e jo Kinës, ka pohuar ndër të tjera Presidenti Trump. Prandaj, edhe në këtë rast nuk kemi të bëjmë me ekspansionizëm të pastër territorial, por për një domosdoshmëri me qëllim kufizimin e ambicieve dhe shtrirjes hegjemonike globale të shtetit aziatik.
Për shumë analistë, këto lëvizje të befasishme të presidentit Trump, mund të merren si shprehje simptomatike të doktrinës së tij politike “Amerika e Para”(America First). Në shikim të parë, veprime të tilla bien në kundërshtim me paralajmërimet e mbajtura gjatë fushatës për tërheqjen amerikane nga bota, por në të vërtetë sipas Hal Brands, profesor në Shkollën e Studimeve Ndërkombëtare të Avancuara të Universitetit Johns Hopkins, këto pretendime shpërfaqin abdikimin e mundshëm nga “bota e vjetër” dhe zëvendësimin e “globalizmit me kontinentalizëm”, shkruan CNN.
Ndërkohë, sipas mediumit të njohur Politico, ambicie të tilla të Presidentit Trump, nuk duhet vështruar si një rikthim në botën imperiale të shekullit 19-të. Përkundrazi, ato tregojnë një realitet hipermodern, në një botë që po transformohet radikalisht për shkak të ndryshimeve klimatike, me Kinën, Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara, që po përpiqen të shfrytëzojnë mundësitë. Kështu, blloqet e akullit të Grendalndës po humbasin 270 miliardë ton ujë çdo vit, ndërsa akulli i detit Arktik po zhduket aq shpejt saqë deti polar mund të jetë pa akull deri në 2030. Dhe një shkrirje e tillë ka hapur mundësi të reja për shfrytëzim të burimeve minerale, rrugëve tregtare më të shpejta, hapësirë dhe baza tjera ushtarake, si dhe zona të reja të peshkimit. Moska dhe Pekini janë duke lëvizur me të madhe për ta ushtruar kontrollin mbi rajonin e Arktik-ut, çfarë e ka alarmuar Uashingtonin .
Sidoqoftë, përkundër këtyre forcave antagoniste, gjatë ditës së djeshme, disa shtete evropiane kanë reaguar me tone të ashpra ndaj planeve të Presidentit Donald Trump, veçanërisht për ishullin e Grendlanëdës. Sepse sic dihet ky vend edne është nën administrimin e Mbretërisë së Danimarkës, një shtet anëtar i BE-së, edhe pse gëzon një shkallë të lartë të autonomisë politike, qeverisëse dhe administrative nga Kopenhaga.
Kështu, Franca e ka paralajmëruar Donald Trump-in, kundër kërcënimit të “kufijve sovranë” të Bashkimit Evropian. Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noël Barrot, i ka thënë radios France Inter se “Nuk bëhet fjalë që BE-ja të lejojë që shtete të tjera në botë, kushdo që të jenë ata, të sulmojnë kufijtë e saj sovranë.” Ndonëse, ai ka shtuar se, megjithatë nuk besonte se SHBA-të “do të pushtonin” Grendlandën, por pa përjashtuar faktin se “kemi hyrë në një epokë ku po lulëzon modeli i rikthimit të ligjit të më të fortit.”. Kritike ndaj këtyre veprimeve është shprehur edhe Gjermania.
Ndërkohë, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, ka deklaruar se në rast të një skenari të tillë, atëherë do të aktivizohej, paragrafi 7 i nenit 42 të Traktatit të Bashkimit Evropian. Sipas këtij neni “ nëse një Shtet Anëtar është viktimë e një agresioni të armatosur në territorin e tij, Shtetet e tjera Anëtare kanë për detyrim ta ndihmojnë dhe mbështetin me të gjitha mjetet që kanë në dorë, në përputhje me nenin 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara”. Ndërkaq, vetë Danimarka, që përndryshe konsiderohet edhe njëri nga shtetet më pro amerikane në kontinentin evropian, dje është shprehur në mënyrë me të ekuilibruar, në dallim nga qëndrimet e mëhershme, që e kundërshtonte në mënyrë kategorike këtë opsion.
Megjithatë, shpërfaqja e tensioneve të tilla gjeopolitike ndërmjet SHBA-ve dhe BE-së, mund të ketë implikime edhe për pozicionin delikat të Kosovës. Pra çfarë pozicioni duhet të mbaj Prishtina në këtë kontest të ri territorial global?. Në njërën anë, Kosova për arsyeje historike ka raporte specifike me superfuqinë e vetme planetare, madje kjo e fundit shihet si garantuesja kryesore e sigurisë shtetërore, por në anën tjetër e ka si qëllim strategjik integrimin në Bashkimin Evropian.
Madje, më qëllim të lehtësimit të kësaj agjende(përkundër reformave të brendshme), ka më shumë se një dekadë që Prishtina merr pjesë në dialog më Serbinë të lehtësuar nga Brukseli, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve si parakusht për integrim. Po ashtu, çdo shtet që ka aspirata të tilla, e ka obligim harmonizimin e plotë të politikës së jashtme me atë të Brukselit. Mbase kjo do të jetë njëra nga sfidat e ardhshme strategjike për Kosovën në “rendin e ri botëror”. /TV Arbëria