Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > KOSOVA NDËRMJET PROPAGANDËS SË PUSHTETIT DHE REALITETIT TË QYTETARËVE, SIÇ PO NA E THOTË EVROPA PËR GJENDJEN E SHTETIT

KOSOVA NDËRMJET PROPAGANDËS SË PUSHTETIT DHE REALITETIT TË QYTETARËVE, SIÇ PO NA E THOTË EVROPA PËR GJENDJEN E SHTETIT

 

Ky raport, është një akt vlerësimi politik për mënyrën se si po qeveriset Kosova, për përgjegjësinë e institucioneve dhe për hendekun ndërmjet propagandës politike dhe realitetit të jetës së qytetarëve.

Megjithatë, ajo që bie në sy është se Qeveria e Kosovës nuk ka ndërmarrë iniciativën që Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën 2026 të debatohet në një seancë të veçantë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Kjo është edhe më domethënëse kur kemi parasysh se qeverisja dhe puna e institucioneve tona janë objekt i vlerësimit të këtij raporti, ndërsa procesin politik të zgjerimit e udhëheq komisionarja Marta Kos. Për të, në Slloveni janë ngritur akuza serioze lidhur me të kaluarën dhe dyshimet për bashkëpunim me ish-shërbimin sekret jugosllav, UDB-në, akuza të artikuluara publikisht edhe nga kryeministri slloven. Edhe pse qeverisjen në Kosovë e dominojnë soji i sajë politik.

Megjithatë, kjo çështje nuk e zëvendëson debatin për përmbajtjen e raportit, por është pjesë e kontekstit politik dhe të standardeve të transparencës e llogaridhënies që duhet të vlejnë për të gjithë.

Raporti i Komisionit Evropian nuk duhet të përdoret as për të shpallur dështimin e përgjithshëm të Kosovës, as për të prodhuar një narrativë të rreme suksesi nga ana e qeverisë. Ai evidenton edhe përparime, edhe mangësi, por mbi të gjitha tregon se vendi ka ende shumë punë për të bërë. Dhe kjo është arsyeja pse debati duhet të përqendrohet te përgjegjësia, jo te propaganda.

Përgjegjësia kryesore për politikat publike dhe rezultatet e qeverisjes i takon ekzekutivit.
Por përgjegjësia institucionale nuk përfundon te qeveria. Kuvendi duhet të ushtrojë mbikëqyrje reale, drejtësia duhet të jetë e pavarur, institucionet e sigurisë duhet të mbeten profesionale dhe opozita duhet të kontribuojë në proceset që lidhen me interesat strategjike të vendit.

Ajo që nuk mund të pranohet edhe më në politikat qeverisëse kosovare, është që mungesa e rezultateve të mbulohet me komunikim politik, që dështimet institucionale të relativizohen me krahasime të pafundme me të kaluarën dhe që çdo kërkesë për llogaridhënie të etiketohet si kundërshtim ndaj shtetit.

Kosova nuk ka nevojë për një tjetër garë se kush e zotëron të drejtën për të folur në emër të popullit.
Ka nevojë për institucione që punojnë për popullin, për qeverisje që prodhon rezultate dhe për politikë që e vendos interesin shtetëror mbi interesin partiak.

Evropa nuk matet me numrin e herëve që përmendet në fjalimet e politikanëve. Ajo matet me drejtësinë që funksionon, me ekonominë që prodhon, me shkollën që edukon, me shëndetësinë që kujdeset për qytetarin, me Policinë dhe Ushtrinë që janë të përgatitura dhe me institucionet që mbajnë përgjegjësi.

Kosova nuk ka mungesë potenciali dhe as mungesë aspirate evropiane. Ajo ka nevojë për qeverisje që këtë potencial ta shndërrojë në mirëqenie, siguri dhe perspektivë për qytetarët. Sepse suksesi i një qeverie nuk matet me atë se sa bindshëm e paraqet veten, por me atë se sa dukshëm e përmirëson jetën e njerëzve dhe sa funksional e bën shtetin.