Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kosova ndërmjet perspektivës evropiane dhe sigurisë amerikane

Kosova ndërmjet perspektivës evropiane dhe sigurisë amerikane

Shkruan: Afrim Kasolli

 

Që nga dita kur Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, në mes të Brukselit, deklaroi se “siguria kontinentit evropian nuk do të jetë më interes primar i SHBA-ve” gjithnjë e më shumë janë shtuar zërat se tashmë Evropa duhet ta mendojë fatin e saj të pavarur nga Amerika.

Ndërkohë, ky paralajmërim u pasua nga telefonata ndërmjet Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump dhe atij rus, Vladimir Putin, si dhe fillimi i negociatave të drejtpërdrejta ndërmjet delegacioneve të këtyre shteteve në Riad të Arabisë Saudite, për fatin e luftës në Ukrainë, duke e përjashtuar plotësisht BE-në nga këto aranzhmane. Rifillimi i koordinimit diplomatik në mes të Rusisë-SHBA- ve, u vërejt edhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, kur ambasadorët e këtyre vendeve votuan në mënyrë të njëllojtë ndaj rezolutës që e bënë përgjegjëse Moskën për agresionin ndaj Ukrainës. Kjo kthesë e papritur e Uashingtonit në raport me Brukselin ka krijuar bindjen se çarja transatlantike ndërmjet këtyre dy entiteteve globale ka hyrë në një proces të pariparueshëm, pas 80 vjet “martese” strategjike. Me qëllim që BE-ja ta rimarr veten nga ndonjë vakum i mundshëm amerikan, në Bruksel u mbajt Samiti i Sigurisë, ku u prezantuan planet për investime deri në 800 miliardë euro në sferën e mbrojtjes. Ndonëse, megjthë dëshirën apo detyrimin, pavarësimi i kontinentit nga mbrojta amerikane ende duket një utopi. Këtë e ka konfirmuar në një interviste për DW, ministri i Jashtëm të Lituanisë, Kęstutis Budrys.

Me këtë rast diplomati i lartë i këtij shteti, ka deklaruar se edhe po të “fillonin shtetet e BE-së që nga sot të investonin deri në 5 për qind të GDP-së, për nevojat e mbrojtës, atyre do duheshin kolektivisht deri në 10 vite për ta plotësuar mungesën amerikane. Prandaj, vendet evropiane janë të varura me apo dëshirën e tyre nga strukturat transatlantike. Dhe se nëse kolpasojnë ato, atëherë do të shembej e tëra arkitektura aktuale e sigurisë kolektive. Kjo edhe është arsyeja që tashmë Bashkimi Evropian e ka dizajnuar një plan për investime deri në 800 miliardë dollarë në mbrojtje. Por në nën tjetër BE-ja nuk po i jeton ditët e saj më të mira edhe sa i përket konkurrencës ekonomike me SHBA-të dhe Kinën. Sipas raportit të përgaditur, nga ish-kryeministri italian, Mario Draghi, për nevojat e Komisionit Evropian, BE-së sot i duhen deri në 800 miliardë investime që të jetë në gjendje t’u bëjë ballë këtyre konkurrenteve. Në këtë drejtim tashmë ekonomitë evropiane kanë mbetur pas sidomos në sferën e revolucionit digjital. Mjafton vetëm një fakt i thjeshtë për ta kujtuar këtë stagnim. Vetëm katër nga 50 kompanitë kryesore globale teknologjike janë aktualisht në Evropë. Pjesa tjetër janë në SHBA ose Kinë.

Për më shumë konstaton ky raport Evropa nuk ka kapacitete që të jetë në të njëjtën kohë edhe lidere në sferën teknologjike, shembull i përgjegjësisë klimatike dhe ta gëzojë rolin e një aktori të pavarur global. Pra ajo duhet të zgjedhë vetëm njërin nga këto prioritete. Parashikim ky që tregon se diferencat më SHBA-të do të mund të thellohen për shkak të presionit amerikan që vendet evropiane të NATO-së duhet të investojnë deri në 5 për qind të GDP-së nëse dëshirojnë ta kenë mbrojtjen amerikane. Sepse nëse Evropa vazhdon të jetë e fokusuar vetëm në rritjen ekonomike duke i sakrifikuar investimet militare, ajo do ta ballafaqohet me luftë tregtare me SHBA-të si dhe do ta humb mbështetjen ushtarake të kësaj të fundit. Pra vetëm sa do të bëhet edhe më pasigurt, një kusht ky i domosdoshëm për përmirësim ekonomik. Nëse e sakrifikon mirëqenien sociale për hir të mbrojtjes do ta mund të përballet me trazira të reja të brendshme sociale, çfarë do të ndikojë edhe më shumë në forcimin politik të partive të ekstremit të djathtë me qëndrim skeptik ndaj BE-së. E antagonizma të tilla në masë të madhe do të reflektohen edhe në fatin shtetëror të Kosovës. Kjo e fundit e ka të shpallur si interes shtetëror agjendën euro-inetegruese. Madje në funksion të këtij qëllimi ka më shumë se një dekadë që është pjesë e procesit të dialogut me Serbinë me qëllim normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve, si parakusht për integrime evropiane.

Por po ashtu, siguria e shtetit në masë të madhe varet nga prezenca ushtarake amerikane. Dhe siç dihet, deri më tani këto dy qendra kanë pasur një gjuhë unike në atë se çka duhet të bëjë Kosova. Progresi në dialog si parakusht për agjendën tjetër. Mirëpo, aktualisht në krye të SHB A-së ndodhet një administratë që nuk është shumë miqësore ndaj Brukselit. Prandaj, për herë të parë mund të ndodh që siguria e Kosovës dhe proceset integruese të gjenden në binarë jo unik. Se çfarë janë raportet diplomatike ndërmjet këtyre dy qendrave e dëshmon një fakt i thjeshtë. Megjithë përpjekjet e vazhdueshme që kishte bërë, Përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, nuk ia doli që të takohet me Sekretarin amerikan Marco Rubio, edhe pse një i tillë ishte aranzhuar.

Madje, shefja e diplomacisë evropiane udhëtoi në drejtim të SHBA-ve në funksion të këtij qëllimi, por përsëri sekretari Marco Rubio, nuk gjeti kohë ta takonte, duke i ngjasuar fatit të ministres së jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Shvarc. E siç dihet nën kompetencat e saj bie edhe dialogu Kosovë-Serbi. Se sa ajo do të jetë e suksesshme në këtë drejtim e “ekskomunikuar” nga homologu i saj amerikan, mbetet të shihet.