Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kosova ndërmjet Amerikës dhe Turqisë

Kosova ndërmjet Amerikës dhe Turqisë

Shkruan: Afrim Kasolli

Brenda një periudhe shumë të shkurtër, Kryeministri Kurti e vizitoi Republikën e Turqisë. Fillimisht u takua me presidentin turk,  Recep Tayyip Erdoğan, si dhe me ministrin e Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, zëvendëspresidentin, Cevdet Yılmaz dhe ministrin e  Mbrojtjes Kombëtare, Yaşar Güler. Gjatë takimeve të shumta në atë kohë u veçua edhe vizita e kompanisë, Baykar e njohur për prodhimin e dronëve Bayraktar TB-2.  Kurse, krye temë e kësaj  vizite, u bë takimi me shkrimtarin e njohur turk Orhan Pamuk.  E, ministria e Arsimit, Abrërie Nagavci, e entuziazmuar për këto arritje kulturore dhe shpirtërore të liderit të saj, në Panarin e Librit në Prishtinë, tregoi se si është në të njëjtin shtrat letrar me kryeministrin, ngase i lexon romanet e Orhan Pambukut.

Ndërkohë, pa kaluar shumë kohë nga kjo vizitë, i pari i Qeverisë së Kosovës, përsëri ateroi në tokën turke.  Herën e dytë ai u takua me guvernatorin e Izmirit, “kryetaren e Komunës së Foçës në Provincën e Izmirit, kryetarin e Bashkisë Metropolitikane të Izmirit dhe një takim të mërgatës dhe përfaqësueses të shoqatave në Turqi” etj.

Këto vajtje-ardhje të shpeshta të kryeministrit Kurti në Republikën e Turqisë, dhe mungesa e takimeve siginifikante me liderë perëndimorë, me përjashtim të takimeve për dialogun me Serbinë, kanë ngritur dyshime mbi orientimin e tij strategjik  dhe mbi tjetërsimin e politikës së jashtme të shtetit të Kosovës, veçanërisht nga Uashingtoni dhe kërkimin e shpëtimit në Ankara. Madje, në këtë kohë ai nuk ishte prezent as në festimin tradicional të 4 korrikut në Ambasadën Amerikane dhe as në samitin e NATO-së në Uashington me rastin e 75 vjetorit të themelimit të Aleancës Veri-Atlantike. Kosovën në këtë rast e përfaqësoi presidentja Vjosa Osmani, duke i shtuar edhe më shumë spekulimet mbi izolimin e Albin Kurtit nga diplomacia amerikane.

Në këtë kontekst, me të drejtë është shtruar pyetja se sa mund t’i ndihmojnë Kosovës këto driblime diplomatike të Kurtit? A e vështirësojnë edhe më  shumë procesin konsolidimit të brendshëm dhe ndërkombëtar të shtetit , sidomos kur marrim parasysh marrëdhëniet e tensionuara dhe plotë fërkime, që  i kanë karakterizuar raportet Uashingtonit dhe Ankarasë gjatë kësaj dekade.

Madje kohë më parë, Hneri Barkey, në një shkrim të botuar “Turkey’s Turning Point-What Will Erdogan Do to Stay in Power?” në Foregin Affairs, pohonte se asnjë shtet anëtarë i NATO-së që një vit, nuk i ka shkaktuar më shumë ngatërresa kësaj aleance, se sa Turqia. Prej se ka filluar lufta në Ukrainë vendet tjera u angazhuan ta ripotencojnë unitetin brenda aleancës, kundër një armiku të përbashkët dhe madje ta zgjerojnë atë, kurse “Turqia jo vetëm që i ka mirëmbajtur raportet e ngrohta me Rusinë, por i pat kërcënuar se do ta bllokojë anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në kuadër të kësaj strukture Veri-Atlantike”.

Në anën tjetër, Asli Aydintasbas, në një vështrim të botuar këto ditë në të njëjtin medium me titull “”It’s Time for America and Trurkey to Reconile-Washington and Ankara Cannot Afford to Remain Estranged”  po ashtu, pajtohet se veprime sikur se refuzimi i liderit turk për t’u shkëputur nga Vladimir Putini, furnizimi me herët me sistemin raketor rus S-400, si dhe distancimi nga vendet perëndimore për ta sanksionuar Rusinë për shkak të pushtimit të Ukrainës, kanë krijuar mosmarrëveshje serioze ndërmjet SHBA-së dhe Republikës Turke. Por,  vazhdon kjo autore, për shkak të dinamikave gjeopolitike që po imponohen, këto dy vende nuk mund t’ia lejojnë vetës luksin të kenë marrëdhënie të acaruara.  Sipas saj është e vërtetë që presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, ka kultivuar një identitet në politikën e jashtme që del jashtë skemave të Luftës së Ftohtë. Dhe në këtë drejtim asnjëra palë më nuk mund ta kthejë pas orën e historisë, por nëse të dy vendet e gjejnë rrugën e një përafrimi më të madh mund t’i ndihmojnë njëra tjetrës sa i përket synimeve gjeopolitike.

Në fund të fundit, afrimi me i Turqisë me Rusinë i ka limtet e veta. Dhe kjo daton që nga koha kur të dy shtetet ishin perandori. Ato kanë luftuar shumë herë ndërmjet vete për ta kontrolluar territore në euro-azi. Në këtë rast, ka të drejtë edhe  Soner Cagaptay, në librin e tij “Erdogan’s Empire: Turkey and the Politics of the Middle East”, kur shkruan, se asgjë nuk i rrezikon interesat e sigurisë nacionale të Turqisë se sa ky përafrim i me Rusinë dhe largimi nga aleatet perëndimore. Mirëpo edhe përkundër këtij bashkëpunimi, nuk është se Turqia dhe Rusia nuk e kanë gjetur vetën në pozicione antagoniste në shumë raste, sikur se në Siri, Libi etj.

Në këtë kontekst, konstaton, Asli Aydintasbas, nuk është i pamundur një ri-afrim më i madh ndërmjet dy vendeve anëtare të NATO-së për interesa të përbashkëta. Për më shumë një gjë e tillë është imperativ strategjik. Në fund të fundit, Turqia kufizohet me ato shtete dhe gjendet në qendër të një regjioni ku Rusia, Kina dhe Irani mëtojnë ta kufizojnë ndikimin e Amerikës. Po ashtu, ajo ndodhet në afërsi të dy luftërave, sikur se ajo në Gaza dhe Ukrainë, që janë bërë një shqetësim serioz për Uashingtonin. Në nën tjetër, një lidhje me e theksuar e relacioneve ndërmjet dy vendeve do t’i ndihmonte edhe Turqisë ta përmirësonte pozicionin e saj ndërkombëtar në një botë që po bëhet gjithnjë e më multi-polare.

Se sa  do të rikonfigurohen këto raporte mbetet të shihet. Mirëpo, nga ky ndryshim do të vlerësoheshin dhe gjykoheshin edhe lëvizjet e fundit të kryeministrit Kurti në Republikën Turke Sepse, një afrim i Kosovës me Turqinë, nëse kjo e fundit i tejkalon mosmarrëveshjet me Amerikën, mund të kthej në benifit. Kështu, Kosova nuk do të vendosej në pozicionin “ose, ose” por “edhe edhe”. Ndërkaq, një agravim më i madh i këtyre tensioneve do ta vështirësonte tej mase fatin ndërkombëtar të Kosovës dhe këto vizita të shpeshta të kryeministrit do t’i ktheshin në bumerang atij dhe shtetit që e përfaqëson.

Themes by WordPress