Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Republikës së Kosovës (AUV) ka njoftuar ndalimin e menjëhershëm të importit të shpezëve të gjalla dhe produkteve të tyre nga Gjermania, pas konfirmimit të rasteve të gripit të shpezëve (Avian Influenza), serotip me patogjenitet të lartë HPAI – H5N1, në disa ferma gjermane.
Vendimi bazohet në raportin e fundit të Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH) dhe në raportin e Komisionit Evropian të datës 28 tetor 2025. Sipas AUV-së, ndalesa përfshin shpezët e gjalla, mishin, vezët dhe të gjitha nënproduktet që kanë origjinë nga territori i Gjermanisë.
“Kjo ndalesë hyn në fuqi menjëherë dhe do të mbetet në zbatim deri në vlerësimin e mëtejshëm të situatës nga autoritetet përkatëse ndërkombëtare dhe nga AUV”, thuhet në njoftimin e institucionit.
AUV ka theksuar se po monitoron nga afër situatën epidemiologjike dhe se do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet vendore dhe ndërkombëtare për parandalimin e përhapjes së kësaj sëmundjeje në territorin e Kosovës.