Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Shëndetësi > ​Kosova ka traditë të mirë të imunizimit, synohet zgjerimi i planit të vaksinimit

​Kosova ka traditë të mirë të imunizimit, synohet zgjerimi i planit të vaksinimit

Në shënimin e Javës së Imunizimit u bë e ditur se me planin e vaksinimit 2022-2025 është paraparë edhe zgjerimi i kalendarit të imunizimit me tri lloje të vaksinave.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia u shpreh sot se Kosova ka një traditë të mirë sa i përket programit të obligueshëm për imunizim.

Ai tha se synimi i planit të veprimit për vaksinim 2022-2025 është të rritet shkalla e vaksinimit për të gjitha komunitetet në veçanti atyre të cenueshme. Ai theksoi se ky plan parashihen përfshirjen e tri vaksinave të reja HPV, Rota-vaksina dhe pneumo-vaksina.

Vitia: Imunizimi prioritet tani dhe në të ardhmen

“Imunizimi trajtohet tani, por do të trajtohet edhe në të ardhmen si prioritet i lartë nga ana e MSh dhe këtë e kemi shprehur qartë përmes miratimit të planit të veprimit për vaksinim 2022-2025, i cili përcakton veprimet e nevojshme për tu ndërmarrë nga institucionet shëndetësore në bashkëpunim me partnerët lokal dhe ndërkombëtar për të mbrojtjur shëndetin e popullatës si një komponent kyç shëndetësor dhe si një e drejtë e padiskuteshme e njeriut…Plani i veprimit synon të arrijë mbuleshmërinë e vaksinimit të rregullt të fëmijëve në shkallën 96-97% duke marrë për bazë faktin se gjatë pandemisë COVID-19 është shënuar rënie e shkallës së vaksinimit të rregullt të fëmijëve natyrisht jo vetëm në Kosovës…Plani i veprimit për vaksinim 2022-25 përmban risi sa i përket përfshirjes së vaksinave të reja në programin e rregullt të vaksinimit meqë në këtë plan janë përfshirë vaksina HPV, Rota-vaksina dhe pneumo-vaksina që ndalon pneunominë, meningjitin dhe sepsen”, tha ai.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, Naser Ramadani u shpreh se përmes Javës së Imunizimit synohet të ngritet vetëdija për imunizimin dhe mbrojtjen e fëmijëve nga sëmundjet parandaluese përmes vaksinimit.

Ramadani: Programi i imunizimit është program me prioritet të lartë

“Po fokusohemi domosdoshmërishtë që të ngritet vetëdija të gjithëve për rëndësinë e imunizimit për të mbrojtur fëmijët nga sëmundjet e parandalueshme përmes vaksinimit duke theksuar rolin kyç të profesionistëve shëndetësor në ndërtimin e praktikave vaksinave preventive. Në Kosovë programi i imunizimit është program me prioritet të lartë, MSh ka miratuar politikat e imunizimit, planet për sigurimin e vaksinave dhe materialit tjetër të hartuar dhe miratuar nga IKSHP dhe të gjitha programet e miratuara dhe ndryshimet në vetë programin e zgjeruar të imunizimit, duke përfshirë edhe kalendarin e imunizimit që bëhen në përputhshmëri të plotë me rakomandimet e OBSH-së“, u shpreh ai.

Ndërsa, shefi i Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, Oleksandr Martynenko theksoi se institucionet e kosovës janë të përkushtuara që të sigurojnë që secili qytetar në Kosovë ka qasje në vaksinat jetë-shpëtuese.

Martynenko: Vaksinat janë të sigurta dhe shpëtojnë jetë

“Mesazhi i parë është që asnjëherë nuk është tepër vonë për tu vaksinuar çdo dozë është e rëndësishme, sëmundjet siç është polio, fruthi, mund të parandalohen me lehtësi duke marrë vaksinat adekutale. Këto sëmundje nuk diskriminojnë në bazë të moshës, gjinisë apo vendit se ku jetoni për këtë arsye u bëjmë thirrje të gjithë prindërve dhe profesionistëve shëndetësor dhe politikbërësve që të sigurohen se të gjithë që kanë nevojë për vaksina t’i marrim ato kur atyre u duhen. Mesazhi i dytë nga OBSH që vaksinat janë të sigurta ato shpërtojnë jetë“, u shpreh ai.

Edhe shefja e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Nona Zicherman u shpreh shënimi i Javës së Imunizimit ofron mundësi për të reflektuar për rritjen e shkallës së imunizimit në Kosovë.

Por, sipas saj edhe në Kosovë sikur në vendet tjera ka rënë shkalla e imunizimit sidomos me vaksinën e fruthit, prandaj bëri thirrje për mobilizim.

Zicherman: Të mobilizohemi që të zvogëlojmë efektet negative për uljen e nivelit të imunizimit

“Ne kemi një nevojë të menjëhershme për veprim të menjëhershëm që të vazhdojmë me dhënien e vaksinave t’i përkushtohemi për rimëkëmbjen e sistemit shëndetësor sidomos përmes imunizimit dhe vaksinimit të fëmijëve. Para disa ditëve UNICEF ka ofruar raportin e tij vjetor ku këtë vit është përqendruar në imunizimin dhe ka vënë në pah shqetësimet në lidhje me atë se çfarë ka ardhur si rezultat i COVID-19 dhe 1-5 fëmijë nuk janë të mbuluar dhe nuk kanë marrë vaksinat për të mbrojtur jetën e tyre dhe ky është një shqetësim jo vetëm këtu, por edhe në vendet tjera sidomos në lidhje me fruthin dhe sëmundjet tjera ngjitëse….1-8 fëmijë në Kosovë nuk i ka marrë vaksinën kundër fruthit që është mbrojtje prandaj në Javën e Imunizimit është mirë që të mobilizohemi dhe të zvogëlojmë këto efekte negative”, tha ajo.

/TV Arbëria

Powered by WordPress