Kosova i është bashkuar Deklaratës Politike të Samitit të Fëmijëve, të lansuar në kuadër të Forumit të Paqes në Paris. Këtë e ka bërë të ditur kryeministri Albin Kurti, përmes një postimi, ku ka theksuar se kjo deklaratë synon mbrojtjen e mirëqenies dhe të ardhmes së gjeneratave të reja.
Ai ka vënë në pah rëndësinë e arsimimit dhe shëndetit të fëmijëve, përfshirë shëndetin mendor dhe atë psikosocial, duke theksuar se këto çështje kërkojnë vëmendje të veçantë, sidomos në kohën kur teknologjitë e reja dhe qëndrimi i gjatë para ekraneve po paraqesin sfida të reja.
“Në kuadër të Forumit të Paqes në Paris u lansua Samiti i Fëmijëve, dhe si Republikë e Kosovës iu bashkuam Deklaratës Politike, me qëllim mbrojtjen e mirëqenies dhe të ardhmes së gjeneratave të reja. Arsimimi dhe shëndeti i fëmijëve, përfshirë ai mendor e psikosocial, teksa po sfidohemi nga teknologjitë e reja dhe kalojmë kohë të gjatë në ekrane, janë jetikë”, ka shkruar Kurti.