Viti 2024 sa i përket tregtisë së jashtme është dalluar me eksportim më të madh trë mallrave nga Kosova në vendet e CEFTA-s , dhe me importim më madh nga ato të Bashkimit Evropian.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës për muajin nëntor eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 33,6 milion Euro, ose rreth 35,8% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 15,0%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (11,3%), Italia (3,2), Holanda (2,7%), etj. Kurse importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 242,5 milion Euro, ose 42,8% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej (6,3%). Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (14,3%), Italia (5,1%), Greqia (3,7%), etj.
Në anën tjetër eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 42,5 milion Euro, ose 45,3% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 53,9%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (19,1%), Maqedonia e Veriut (15,3%), Serbia (5,2%), Mali i Zi (4,2%). Ndërkaq, importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 72,1 milion Euro, ose 12,7% të importeve të përgjithshme, me një rënje prej (-5,1%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia e Veriut (4,1%), Shqipëria (3,7%), Serbia (3,2%). /TV Arbëria