Shkruan: Hisen Berisha
Kur Albin Kurti dhe Vetëvendosje erdhën në pushtet në vitin 2019, qytetarëve iu premtua “drejtësi”, “barazi”, “zhvillim”, “dinjitet” dhe “shtet i fortë”.
Sot, pas disa vitesh qeverisje absolute nga Kurti dhe koalicioni i majt socialist, LVV-Guxo-Alternativa, Kosova po renditet ndër vendet më të varfra në Evropë sipas GDP-së për frymë, ndërsa propaganda vazhdon të shitet si sukses historik.
Ky është bilanci real i qeverisjes Kurti, pra degradim ekonomik, izolim diplomatik, shkatërrim institucional dhe zbrazje masive e vendit.
Një shtet nuk matet me konferenca propagandistike, me statuse në Facebook apo me fjalime populiste kundër të gjithëve.
Një shtet matet me mirëqenien e qytetarëve të tij, me fuqinë ekonomike, me stabilitetin institucional, me aleancat strategjike dhe me besimin që krijon brenda e jashtë vendit.
Në të gjitha këto fusha, Kosova gjatë qeverisjes Kurti ka pësuar rënie dramatike.
Kosova sot nuk është vetëm më e varfër ekonomikisht, por, ajo është më e dobët politikisht, më e izoluar diplomatikisht dhe më e pasigurt institucionalisht.
Për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë, shteti ynë është futur nën masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian, ndërprerja e komunikimit strategjik me SHBA, është përplasur me aleatët kryesorë strategjikë dhe ka humbur kredibilitetin ndërkombëtar që ishte ndërtuar me sakrificë për dekada.
Qeveria Kurti nuk prodhoi zhvillim ekonomik por, prodhoi frikë për investitorët.
Nuk krijoi stabilitet institucional por, prodhoi krizë permanente politike.
Nuk ndërtoi partneritete ndërkombëtare por, prodhoi armiqësi diplomatike edhe me shtetet që e ndërtuan dhe e mbrojtën Kosovën.
Në planin ekonomik, qytetari i Kosovës është goditur në çdo aspekt.
Çmimet janë rritur, fuqia blerëse është rrënuar, bizneset janë përballur me pasiguri dhe mungesë perspektive, ndërsa investimet serioze të huaja kanë stagnuar.
Përderisa qeveria propagandon “sovranitet ekonomik”, qytetari po lufton për mbijetesë, familjet po varfërohen dhe rinia po largohet masivisht nga vendi.
Ikja e popullsisë është referendumi më i rëndë kundër kësaj qeverie.
Kur qytetarët humbin shpresën në shtetin e tyre, ata përfshihen nga apatia dhe nuk protestojnë më, ata ikin. Sot, mijëra të rinj nuk e shohin Kosovën si vend të së ardhmes, por si territor tranziti drejt Perëndimit.
Ky është dështimi më i madh i një qeverisjeje, kur humbet besimin e gjeneratës që duhet ta ndërtojë shtetin.