Shkruan: Afrim Kasolli
Mediumi Evropa e Lirë kohë më parë në shkrimin “dreka, udhëtime, takime: Ku shkuan paratë e Kosovës për lobim në SHBA” tregonte se si nga “nga korriku i vitit të kaluar deri në janar të këtij viti, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD), i kishte paguar dy kompani rreth 277 mijë dollarë për lobim në SHBA.
Mirëpo, sipas gjetjeve të këtij mediumi, “pjesa më e madhe e takimeve janë zhvilluar nëpër restorante të ndryshme në Prishtinë, edhe pse në kontratën e lobimit thuhet se ata do të ofronin këshilla strategjike dhe përfaqësim të MPJD-së “brenda Shteteve të Bashkuara”.
Ndërkohë, po ashtu në një shkrimin tjetër, “dy kompani paguhen për të kryer të njëjtën punë: si po lobon Kosova në SHBA?” konstatohet se “dy kompanitë e kontraktuara për lobim në SHBA nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) e Kosovës kanë kontaktuar, në shumicën e rasteve, të njëjtët politikanë amerikanë për të diskutuar për çështjet e njëjta në po të njëjtat ditë”.
Në anën tjetër, paralelisht me këtë shpërdorim të buxhetit të Kosovës, gjoja me qëllim ndikimin në qarqet politikbërëse në Uashington në mbrojtje dhe avancim të interesave shtatore, raportet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve, në këtë kohë kanë ardhur duke u përkeqësuar dhe tensionuar. Kjo është konfirmuar nga shumica e diplomatëve dhe përfaqësuesve të shtetit amerikan. Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, ish i dërguari për Ballkanin Perëndimor i Uashingtonit, Gabriel Escobar, si dhe Ndihmës Sekretari i Shtetit për çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, në vazhdimësi kanë deklaruar, se sjelljet e Qeverisë së Kosovës janë duke e dëmtuar cilësinë e raporteve bilaterale ndërmjet dy vendeve. Ndërkaq, përfaqësuesit kryesorë të pushtetit, kryeministri Albin Kurti, ministrja e punëve të Jashtme, Donika Gervalla, ka kohë që nuk kanë shkelur në instancat kryesore të politikës amerikane.
Ndërkohë, sipas mediumit në gjuhën serbe Kosova Online, në javën e ardhshme për herë të parë në Uashington do të mbahet konferenca mbi raportet Amerikano-Serbe. Pjesë e kësaj ngjarje do t të jenë përfaqësues të Administratës Amerikane, si dhe anëtarë të Kongresit nga të dy partitë si ajo Republikanë ashtu edhe Demokratike. Serbinë në këtë rast do ta përfaqësojë ministri i Punëve të Jashtme, Marko Gjuriq, kurse fjalën kryesore në këtë takim do ta ketë zyrtari i sapo emëruar si Zëvendës Ndihmës Sekretar për Ballkanin Perëndimor, Alexander “Sasha” Kasanof. Për organizatorët të kësaj konference, në këtë mënyrë tentohet të tregohet se sa të rëndësishme janë marrëdhëniet, Amerikano-Serbe, për stabilitetin e rajonit, sidomos në një kohë që sipas tyre SHBA duhet të tregohet më aktive në garantimin e paqes në këtë pjesë të Evropës Perëndimorë për shkak të veprimeve destabilzueze të Prishtinës.
E kuptueshme që asgjë nuk ndryshon brenda natës. Mirëpo, si afrimi i Serbisë me Amerikën dhe tjetërsimi i raporteve të Kosovës po ndryshon dita ditës. Dhe ky relacion po i përngjan atij personazhit të shkrimtarit të njohur, Ernest Hemingëay, deri sa pyetet se si kishte falimentuar, ai përgjigjet, “gradualisht dhe papritmas” (gradually, then suddenly). /TV Arbëria