Që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, shumica e shteteve demokratike janë pozicionuar me sanksione dhe izolim diplomatik kundër elitës politike, ushtarake dhe financiare të Kremlinit. Në këtë klimë ndëshkuese ndërkombëtare, Serbia ka zgjedhur një kurs të kundërt: në vend se të distancohet nga Moska, ajo ka intensifikuar lidhjet përmes një forme të heshtur tregtie politike duke shpërndarë pasaporta për oligarkë dhe agjentë rusë.
Ky nuk është një veprim teknik administrativ. Bëhet fjalë për një strategji të mirëmenduar gjeopolitike, ku shtetësia serbe përdoret si mjet për të ofruar siguri, legjitimitet dhe qasje në tregje ndërkombëtare për elitën ruse të sanksionuar. Si kundërshpërblim, Serbia merr një nga mbështetjet më të rëndësishme politike në skenën globale sk votën dhe veton e Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së kundër anëtarësimit të Kosovës dhe çdo përpjekjeje për njohje ndërkombëtare.
Në këtë kuptim, pasaporta serbe është shndërruar në valutë gjeopolitike. Ajo nuk i shërben më qytetarëve të zakonshëm, por një elite që kërkon të shmangë ndëshkimin ndërkombëtar përmes rrugëve paralele të krijuara nga Beogradi. Emrat si Ivan Sibirev dhe Viktor Shendrik respektivisht një profiter lufte dhe një ish-agjent i FSB-së janë shembuj të drejtpërdrejtë të këtij rrjeti ku bashkohen kapitali rus dhe politika serbe.
Më shumë së 200 pasaporta serbe u janë dhënë individëve me lidhje të ngushta me pushtetin në Moskë, përfshirë oligarkë, ish-agjentë të FSB-së dhe bashkëpunëtorë të ngushtë të elitës ushtarake ruse.
Përballë kësaj skeme të qartë, Kosova duhet të veprojë. Kjo çështje duhet të ngrihet në çdo forum ndërkombëtar, veçanërisht në Këshillin e Sigurimit. Duhet bërë pyetja thelbësore: A është Rusia një mbrojtëse e parimeve të Kombeve të Bashkuara, apo një aktor që shfrytëzon mekanizmat e OKB-së për të mbështetur aleatët e saj strategjikë në dëm të stabilitetit ndërkombëtar?
Serbia nuk mund të portretizohet më si një shtet neutral apo i pavarur në pozicionet e saj. Bashkëpunimi i saj me Rusinë përmes skemës së pasaportave e vendos atë në zemër të një projekti të rrezikshëm revizionist euroaziatik. Tolerimi i kësaj praktike nuk është vetëm rrezik për Kosovën – është sfidë për gjithë rendin ndërkombëtar që pretendon të mbrojë parimet e sovranitetit, ligjit ndërkombëtar dhe paqes globale.
Prandaj, veprimi i Kosovës duhet të jetë i drejtpërdrejtë, argumentues dhe i padiskutueshëm së pasaportat serbe për elitën ruse janë një akt politik, dhe si i tillë duhet të trajtohet nga komuniteti ndërkombëtar. Heshtja ndaj kësaj praktike do të thotë bashkëpunim i heshtur me një politikë që synon destabilizimin e Ballkanit dhe pengimin e të drejtave legjitime të popullit të Kosovës.