Shkruan: Afrim Kasolli
Se struktura të sigurisë së Serbisë mund të jenë prapa sulmit mbi kanalin Ibër-Lepenc nuk përjashtohet si skenar. Veçanërisht, segmente të saj që janë të lidhura drejtpërdrejt më Rusinë. Në fund të fundit, nuk mund të pritet ndonjë “dhuratë” tjetër nga shteti fqinj. Qëllimi i tij është që ta sfidojë shtetin e Kosovës. T’i paralizojë funksionet e tij kritike duke mbjellur kaos të brendshëm. Por ky sulm, po ashtu, mëtonte ta cenonte kapacitetin, krahas të shtetit të Kosovës, edhe të NATOS-së, si strukturë që e garanton sigurinë e vendit. Dhe këtu nuk përjashtohet mundësia që operacione të tilla të jenë të orkestruara nga Kremlini.
Mirëpo, shtrohet pyetja çka tash? Kryeministri Kurti në disa paraqitje publike tentoi ta përdor këtë rast për shfajësim të brendshëm politik. Në natën kritike më shumë u morr me opozitën dhe mediat se sa me sulmin. Duke aluduar se këto të fundit i gëzohen akteve të tilla për ta diskredituar atë politikisht. Dhe duke transmetuar mesazhin se sa më shumë shpërfillen nga qytetaret e Kosovës zëra të tillë të “luftës hibride” kundër tij personalisht, shtetit të Kosovës dhe kombit shqiptar, aq më e mirë do të jetë situata. Pra duke shfrytëzuar këtë rast ai i dha vetit legjitimitet të flas edhe një herë si mbrojtësi i vetëm i kauzës pan-shqiptare, e cila po kërcënohet nga armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm. Dhe e dyta, u shfaq përsëri si viktimë e rrethanave paraprake pasi i është peng i pamundësisë për ta dërguar FSK-në në pjesën veriore si pasojë e një zotimi të ish-kryeministrit Hashim Thaci, që kjo e fundit do të mund të shkonte në atë pjesë vetëm me leje të KFOR-it, misionit paqeruajtës në Kosovë. Natyrisht, ai nuk ka la pa e kujtuar se sulme të tilla janë shpeshtuar, për shkak të sukseseve të Qeverisë së tij në pjesën veriore. Ku Serbia po bëhet gjithnjë e më nevrike ngase po e humb ndikimin në terren për shkak të çmontimit të strukturave kriminale që ishin mirëmbajtur nga Beogradi për një kohë të gjatë.
Në këto paraqitje u pa qartë se motivi i tij themelor ishte ofrimi i një narracioni politik për të kënaqur ndjekësit e tij të brendshëm. Taktikisht kjo qasje edhe mund t’i siguroi avantazhe elektorale, por nuk ofron asnjë mjet për fitore të jashtme ndërkombëtare. E kam shkruar edhe herë tjera se një nga disfatat kryesore të shtetit të Kosovës për sulmin e 24 shtatorit ishte në nivelin diplomatik. Serbia e kaloi pa asnjë përgjegjësi atë agresion paramilitar. Dhe ky kërcënim rrezikon ta na përsëritet.
Sepse në fund të fundit këto sulme janë shpeshtuar, jo për shkak të suksesit të qeverisjes Kurti në veri, as pse opozita dhe mediat janë instrumente të luftës hibride, kundër atij dhe kombit shqiptar, por sepse Kosova ndodhet në pikën më të ulët kritike në raportet e saj me partnerët ndërkombëtarë. Dhe sa më shumë që thellohen këto çarje aq më të pakta do të jenë mundësitë e Kosovës për të ta avancuar kauzën e saj, edhe nëse një parti qeveris e vetme me 80 për qind të votave të trupit elektoral. /TV Arbëria