Fabrika e municionit në Gjakovë pritet të realizojë prodhimin e parë testues deri në fund të dhjetorit të këtij viti, ndërsa pjesa tjetër e kompleksit industrial, përfshirë laboratorët dhe depot, parashihet të përfundojë gjatë vitit 2027.
Kështu ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë seancës së Kuvendit, ku iu përgjigj pyetjeve të deputetes së PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj, lidhur me financimin, detyrimet financiare dhe afatet e funksionalizimit të fabrikës.
Duke folur për rëndësinë e këtij projekti, Kurti e ka cilësuar atë si investim strategjik për vendin, i cili synon rritjen e kapaciteteve mbrojtëse dhe krijimin e mundësisë për furnizim vendor me municione.
“Edhe në ketë mandat do të përqendrohemi për zhvillimin e kësaj industrie. Në këtë kuadër, Kompleksi industrial për prodhimin e municioneve në Gjakovë është projekt strategjik për vendin dhe për rritjen e kapaciteteve tona mbrojtëse. Prodhimi vendor do të forcojë vet qëndrueshmërinë e Kosovës me furnizimin me municione për ushtrinë, policinë, dhe institucionet e tjera të sigurisë. Në kushtet e mungesave në nivel global të shkaktuara nga luftërat dhe kërkesa e shtuar, ky kapacitet do të rrisë sigurinë e furnizimit dhe do të ulë varësinë tonë nga prodhuesit e huaj. Ju e dini që ne kemi blerë shumë municion dhe armatim, por, ato nuk janë prodhimi ynë, dhe ne dëshirojmë që kjo të ndryshojë në vitet në vijim”, ka thënë Kurti.
Sa i përket afateve kohore, kryeministri ka bërë të ditur se pjesa prodhuese e fabrikës pritet të përfundojë deri në fund të dhjetorit 2026, ndërsa prodhimi i parë testues është planifikuar të realizohet në të njëjtën periudhë.
“Kjo është ndarje e veçantë nga ndërtimi dhe funksionalizmi i kompleksit të prodhimit të municioneve. Kompleksi shtetëror do të ketë murin e vet rrethues i cili do të ndërtohet po ashtu nga MKE-ja. Deri në fund të dhjetorit 2026 parashihet të përfundojë pjesa prodhuese e fabrikës dhe të realizohet prodhimi i parë testues i municioneve. Laboratorët, depot dhe objektet e tjera të kompleksit parashihen të përfundojnë gjatë vitit 2027. Ministria e Mbrojtës tashmë e ka rekrutuar stafin që do të punojë në fabrike, para fillimit të prodhimit testues punonjësit do të ndjekin trajnimin specialistik në Turqi. Në fazën fillestare ata janë angazhuar përmes një projekti trevjeçar në të cilin janë planifikuar pagat dhe shpenzimet përkatëse”, theksoi Kurti.
Gjatë seancës, Kurti bëri të ditur gjithashtu se para nënshkrimit të kontratës janë realizuar dy studime fizibiliteti nga kompani të dy shteteve anëtare të NATO-s.
Ndërkohë, lidhur me një milion eurot e parapara në projektbuxhetin e vitit 2027 për projektin “Rrethoja e sigurisë, parku industrial i mbrojtjes”, ai sqaroi se kjo shumë është e dedikuar për rrethojën e zonës së përgjithshme industriale, e cila përfshin 144 hektarë, dhe nuk lidhet drejtpërdrejt me ndërtimin e fabrikës së municionit.
Në anën tjetër, deputetja Besa Kabashi-Ramaj kërkoi sqarime konkrete për programin, nënprogramin dhe kodin buxhetor përmes të cilit është paraparë financimi i fabrikës në vitin 2027. Ajo kërkoi gjithashtu të dijë vlerën e përgjithshme të detyrimeve financiare nga marrëveshja me kompaninë turke, shumën e paguar deri më tani dhe afatin aktual të funksionalizimit të projektit.
I pyetur për kompanitë e përfshira në këtë projekt, Kurti tha se publikimi i emrave të tyre dhe shteteve prej nga vijnë nuk do të ishte në interes të Kosovës.
“Nuk mendoj se është e dobishme të tregohet se cilat janë kompanitë, nga cilat shtete publikisht, që pastaj kundërshtarët e armiqtë e Republikës së Kosovës të ju qasen atyre. Është gabim”, deklaroi Kurti.
Ndryshe, fundi i vitit 2026 ishte përmendur edhe më herët nga zyrtarë të Qeverisë si afat për funksionalizimin e fabrikës dhe prodhimin e municioneve të para në Kosovë.