SHKRUAN: ARBEN FETOSHI
(Kornizimi manipulativ në mediat serbe)
Përpjekjet transatlantike për një “partneritet të ri” me përgjegjësi më të madhe europiane, të raportuara nga Politico (19 shkurt 2026) si presion i SHBA-së për një “rikonfigurim të madh” të NATO-s, pësuan sërish “rikornizim të agjendës” në mediat serbe.
Derisa katër diplomatët, të cilëve Politico u kishtë dhënë “anonimitet për shkak të ndjeshmërisë”, pohonin mbylljen e misionit në Irak deri në shtator 2026 dhe “diskutimet në fazë të hershme” për reduktim të misionit në Kosovë, mediat serbe e trajtuan atë si “tërheqje amerikane” dhe “mbyllje të KFOR-it”.
Ngjashëm me raportimin selektiv para një viti (19 shkurt 2025) pas artikullit të Bild, por tani duke “alarmuar” për fatin e qytetarëve serbë në Kosovë.
Narrativa “triumfaliste” mbi ridislokimin e trupave amerikane si “tërheqje”, që synonte përceptimin e Perëndimit të dështuar dhe të Serbisë si aktor me peshë gjeopolitike në rajon, saktësisht pas një viti u kthye në narrativë viktimizuese për shkak të “terrorit” të Kosovës, duke kalkuluar mobilizimin dhe “legjitimimin” e ndërhyrjes për mbrojtje.
Kornizimi i “tërheqjes” së KFOR-it si rrezik për sigurinë e serbëve dhe analizat e ndryshme mbi skenarë potencialë të tërheqjes apo zvogëlimit në raport me sigurinë e komunitetit serb, janë kornizat dominante mbi këtë temë, me parashikime spekulative, nxitje emocionale dhe tonalitet alarmues.
S’ka rëndësi çfarë iu thoshte Komandanti i KFOR-it me “gatishmërinë kundër çfarëdo eskalimi” dhe “mbështetjen për dialogun si kornizë të zgjidhjes” (Kosovo Online, 4 shkurt 2026), s’ka rëndësi konteksti ndërkombëtar me tensionet gjeopolitike si shkak i debateve për “rikonfigurimin” dhe as konfirmimi i Kosovës si partnere e rëndësishme në kuadër të Bordit të Paqes, me FSK-në në misionin për Gazën.
Për propagandën serbe, faktet mund të deformohen sipas nevojave të kornizimit strategjik. Kjo është qasja e duhur për zgjatimin e “alarmit” të Vuçiqit mbi Marrëveshjen Ushtarake ndërmjet Kosovës, Shqipërisë e Kroacisë” si “kërcënimi më i madh” për Serbinë (15.02.2026).
Pas fushatave demonizuese për NATO-n si agresore dhe pas fajësimit të KFOR-it për tolerimin e “diskriminimit” të serbëve, ato tani duhet ta ushqejnë “rrezikun” nga reduktimi eventual i misionit, jo sepse e kanë ndryshuar qasjen, por sepse e dinë që një gjë e tillë bart mesazhin e “zgjidhjes” përfundimtare për Kosovën si shtet i pavarur dhe si faktor stabiliteti në Ballkan.
Pavarësisht se çfarë trajte mund të marrë në të ardhmen koncepti i nënsekretarit Colby (NATO 3.0) për transformimin e aleancës pas vitit 2022, një gjë mbetet e sigurt: “rikonfigurimi i madh” nënkupton synimet për zgjidhje efikase që garantojnë interesat transatlantike mbi sigurinë, lirinë dhe demokracinë në botë.