Kosova dhe Kanadaja do ta fillojnë Programin e Bashkëpunimit në Trajnim Ushtarak (MTCP) – një iniciativë që synon ofrimin e mundësive për trajnimin dhe zhvillimin e aftësive ushtarake për shtetet që kërkojnë të forcojnë kapacitetet e tyre mbrojtëse.
Lajmin e ka bërë të ditur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit që ka pasur në kuadër të Forumit Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax me Ministrin e Mbrojtjes të Kanadasë. “Një lajm i mrekullueshëm sot nga Halifaxi: Kosova dhe Kanadaja do ta fillojnë Programin e Bashkëpunimit në Trajnim Ushtarak”, ka shkruar Osmani.
“Së bashku me ministrin e Mbrojtjes Ejup Maqedonci, në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax, takuam ministrin e Mbrojtjes të Kanadasë, Bill Blair, i cili na dha lajmin e mirë rreth këtij programi, pas kërkesës që ia kam bërë ish-Ministres së mbrojtjes gjatë vizitës sime të mëparshme në Kanada”, ka shtuar kreu i shtetit.
Ndryshe, një prej aspekteve më të rëndësishme të marrëdhënieve dypalëshe është angazhimi i Kanadasë në mbështetje të Kosovës në proceset integruese. Kanadaja, gjithashtu, ka mbajtur një qëndrim parimor në favor të anëtarësimit të Kosovës në aleancën veriatlantike, duke e mbështetur perspektivën e vendit drejt NATO-s.