Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar se nuk ka vend për glorifikimin e kriminelëve të luftës në rrugën drejt anëtarësimit në BE, duke komentuar rastin e kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, i cili ka glorifikuar kriminelin e luftës Ratko Mlladiq.
Gjatë një ligjërate në Fakultetin e Shkencave Politike në Podgoricë, Kos u pyet se si mund të ecë Mali i Zi drejt anëtarësimit në BE, kur në krye të Kuvendit është një politikan që glorifikon Mlladiqin, ish-komandantin ushtarak serb të Bosnjës, i dënuar për gjenocidin në Srebrenicë dhe krime të tjera lufte, raporton mediumi malazez Pobjeda.
“Nuk ka vend për glorifikimin e Mlladiqit, por Mali i Zi është shumë më tepër se një, dy apo pesë politikanë”, deklaroi Kos.
Ajo theksoi se Mali i Zi është në rrugën e duhur drejt anëtarësimit në BE, por shtoi se vendimi përfundimtar do të varet nga vlerësimi i të gjitha 27 shteteve anëtare, të cilat duhet të binden se vendi është vërtet i gatshëm për anëtarësim.
Kos tha se pret që sjellje të tilla të ndalen, duke nënvizuar se procesi i integrimit evropian kërkon ndryshime dhe respektim të vlerave demokratike.
“Ne nuk mund t’i largojmë disa politikanë që rezultati të jetë më i mirë”, tha ajo.
Komisionerja evropiane theksoi se glorifikimi i kriminelëve të luftës nuk ka vend në procesin e integrimit evropian, ndërsa u bëri thirrje politikanëve malazezë që të mos i thellojnë plagët e së kaluarës, por të kontribuojnë në shërimin e tyre.
Ajo rikujtoi se sundimi i ligjit është një nga parimet më të rëndësishme të BE-së dhe se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, pavarësisht pozitës që mban.
Kos foli gjithashtu për rëndësinë e marrëdhënieve të mira me vendet fqinje, veçanërisht me Kroacinë, duke theksuar se çështjet e pazgjidhura, përfshirë ato kufitare, mund të përfshihen në traktatin e anëtarësimit, në mënyrë që të zgjidhen pas hyrjes në BE.
Ajo u shpreh e bindur se Mali i Zi do të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian nëse vazhdon përparimin e deritanishëm, por nënvizoi se rruga drejt anëtarësimit kërkon përkushtim ndaj demokracisë, sundimit të ligjit dhe vlerave evropiane.