Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Koreja e Veriut do ta mbështesë Rusinë derisa të triumfojë në Ukrainë, thotë ministrja e Jashtme

Koreja e Veriut do ta mbështesë Rusinë derisa të triumfojë në Ukrainë, thotë ministrja e Jashtme

Koreja e Veriut do ta mbështesë Rusinë derisa ajo të arrijë fitore në luftën në Ukrainë, tha ministrja e Jashtme koreanoveriore, Choe Son Hui, të premten pas një takimi me homologun e vet rus në Moskë, Sergei Lavrov.

“Marrëdhëniet tona tradicionale dhe historike, të cilat kanë përshkruar dhe sprovuar rrugët e historisë, sot…po rriten në një shkallë të re marrëdhëniesh së miqësisë së pamposhtur ushtarake”, i tha ajo Lavrovit.

Ajo i lavdëroi liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, dhe presidentin rus, Vladimir Putin, për rolin e tyre për thellimin e lidhjeve.

Ajo tha se Pheniani nuk ka asnjë dyshim se ushtria dhe populli rus, nën “udhëheqjen e mençur” të Putinit, do të “arrijnë fitore të madhe në luftën e tyre të shenjtë për t’i mbrojtur të drejtat sovrane dhe interesat e sigurisë së shtetit të tyre”.

“Dhe, ne gjithashtu garantojmë se deri në ditën e fitores, në do të qëndrojmë fuqishëm përkrah partnerëve tanë rusë”, tha ajo.

Lavrovi foli për “marrëdhënie shumë të ngushta” mes ushtrive të të dy vendeve dhe tha se kjo ua mundëson atyre të zgjidhin çështje të rëndësishme të sigurisë së bashku.

Asnjëri prej tyre nuk foli për deklaratat e Shteteve të Bashkuara, NATO-s, Koresë së Jugut dhe Ukrainës gjatë kësaj jave, se Koreja e Veriut i ka dërguar rreth 10.000 trupa në Rusi.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha të enjten se 8.000 trupa koreanoveriore janë në rajonin Kursk të Rusisë, ku trupat ukrainase kryen një inkursion në gusht dhe prej atëherë mbajnë nën kontroll qindra kilometra katror territor. Ai tha se pret këta trupa të dërgohen në vijën e frontit në ditët në vijim.

“Ne u jemi thellësisht mirënjohës miqve tanë koreanë për qëndrimin e tyre parimor në lidhje me ngjarjet që po zhvillohen në Ukrainë si pasojë e synimeve të Perëndimit për ta zgjeruar NATO-n në lindje dhe për ta nxitur haptazi regjimin racist për shfarosjen e çdo gjëje që është ruse”, tha Lavrov.

Choe tha se Veriu dhe Rusia duhet të vazhdojnë thellimin e marrëdhënieve në përputhje me traktatin e nënshkruar muaj më parë nga liderët e dyja vendeve, i cili përmban një klauzolë për mbrojtje të përbashkët.

Moska, e cila e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022, nuk e ka mohuar e as pranuar troç se Koreja e Veriut i ka dërguar ushtarë. Por, Putini tha se i takon Rusisë se si ta zbatojë traktatin me Kimin.

Powered by WordPress