Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Koreja e Jugut deklaron se Veriu po përgatitet të “hedhë në erë” rrugët kufitare

Koreja e Jugut deklaron se Veriu po përgatitet të “hedhë në erë” rrugët kufitare

Koreja e Veriut po përgatitet të “hedhë në erë” rrugët që kalojnë kufirin shumë të militarizuar me Korenë e Jugut, ka deklaruar Seuli.

“Trupat nga Koreja e Veriut u panë duke punuar. Ata kanë instaluar ekrane në rrugë dhe po punojnë pas atyre ekraneve për të hedhur rrugët në erë”, tha Lee Sung Joon, zëdhënës i shefave të shtabit të Koresë së Jugut.

Bëhet e ditur se shkatërrimi i rrugëve do të ishte në përputhje me shtytjen e liderit të Veriut, Kim Jong Un për të ndërprerë lidhjet me Jugun dhe për ta shpallur atë zyrtarisht si armikun kryesor të vendit.

Kjo informatë vjen pasi Veriu akuzoi Jugun për lëshimin e dronëve mbi kryeqytet tre herë këtë muaj, shkruan skynews.

Ushtria e Koresë së Veriut paralajmëroi për një “katastrofë të tmerrshme” nëse dronët do të lokalizoheshin përsëri dhe tha se ka vendosur njësi artilerie të armatosura në kufi “në gatishmëri për të hapur zjarr”.

Ndërkohë, Koreja e Jugut ka refuzuar të konfirmojë nëse ka dërguar drone, por ka paralajmëruar se do të ndëshkojë Veriun nëse rrezikohet siguria e qytetarëve të saj.

Siç raportohet, zyrtarët në jug pretendojnë se Veriu ka shtuar barriera antitank, duke vendosur mina dhe duke përforcuar rrugë në anën e kufirit që nga fillimi i këtij viti, në një përpjekje të mundshme për të rritur sigurinë e vijës së parë të frontit dhe për të parandaluar dezertimin e ushtarëve dhe qytetarëve.

Ndryshe, tensionet mes dy shteteve janë në pikën më të lartë në vite – me Korenë e Veriut që vazhdon një seri testesh armësh dhe Korenë e Jugut që zgjeron stërvitjet ushtarake me SHBA-në.

Në janar, Kim Jong Un urdhëroi rishikimin e kushtetutës së vendit për të hequr qëllimin e një bashkimi paqësor të Koresë dhe për të caktuar zyrtarisht Jugun si “armikun kryesor të pandryshueshëm” të vendit.

Powered by WordPress