Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Kontrolli i kamionetës me tri vetura eskalon në Jarinjë

Kontrolli i kamionetës me tri vetura eskalon në Jarinjë

Një kontroll që nisi për shkak të dyshimeve se një shofer nuk posedonte kategorinë përkatëse për mjetin që po drejtonte, ka eskaluar në një incident serioz në pikën kufitare në Jarinjë, me kërcënime ndaj zyrtarëve policorë, rezistencë gjatë arrestimit dhe një polic të lënduar, raporton Sinjali.

Ngjarja ka ndodhur më 28 gusht, rreth orës 15:50, në hyrje të Republikës së Kosovës.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, një 35-vjeçar kishte mbërritur në pikën kufitare duke drejtuar një kamionetë për transportimin e automjeteve, së cilës i ishte bashkëngjitur një rimorkio me tri vetura të ngarkuara.

Gjatë kontrollit, policët kanë konstatuar se shoferi nuk posedonte kategorinë përkatëse për drejtimin e këtij kombinimi të mjeteve, për shkak se tejkaloheshin parametrat e lejuar të peshës së përgjithshme dhe gjatësisë.

Për këtë arsye ishte kërkuar asistenca e njësisë së trafikut për trajtimin e kundërvajtjes.

Por një kontroll që duhej të përfundonte me procedurë trafiku, dyshohet se shumë shpejt është shndërruar në konfrontim me policët.

Personi që shoqëronte shoferin dyshohet se ka nxjerrë telefonin dhe ka fotografuar njërin prej zyrtarëve policorë.

Më pas, sipas të dhënave nga prokuroria, ai dyshohet se i është drejtuar policit me një kërcënim të drejtpërdrejtë:

“Për këtë pjesë shihemi ne prapë privatisht, nuk ka me u kry me kaq. Nëse jam gjallë, kam me ta zhvesh uniformën”.

Pas këtyre fjalëve, Policia ka ndërhyrë për arrestimin e tij.