Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > Konteksti pse nisi Gjykata Speciale

Konteksti pse nisi Gjykata Speciale

Nga Agron Hoti

Lufta e SHBA-së kundër terrorizmit 2001-2022 në Azi, po e forconte Rusinë në Evropë. Meqë Rusia po humbiste terren në Lindje të Mesme dhe Azi Qendrore ku SHBA po e luftonte terrorizmin, ajo (Rusia) po bënte të pamundurën për ta diskredituar SHBA-në para opinionit botëror pikërisht në luftën kundër terrorizmit. Mos të harrojmë që gjatë kësaj periudhe (2001-2022) ishte pavarësuar Kosova, ishte avansuar pozita e shqiptarëve në Maqedoni dhe të gjitha këto Rusia po i shihte si fitore amerikane në Evropë. Ndërkohë dihet botërisht që UÇK me tërë strukturën e saj ishte bërë partneri kryesor i SHBA-së në terren, kjo më së miri ishte parë gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s dhe bisedime për çlirimin e Kosovës. Prandaj, Rusia e mbështetur nga Serbia ndezi të gjithë motorët që ta diskreditonte sa më shumë UÇK-në dhe Strukturën Drejtuese të saj si dhe t’ua ulte përkrahjen në popull, në mënyrë që t’ua digjnin amerikanëve këtë kartë të paanashkalueshme në terren. Qëllimi i Rusisë ishte që në hapësira shqiptare të rritej antiamerikanizmi.

Për ta rritur antiamerikanizmin në Evropë, Putini i sapoardhur në pushtet në vitin 2000, kishte filluar t’i joshte evropianët me mega-rezervat energjetike. E BE duke qenë e varur – si dje ashtu edhe sot – nga importi i energjisë, pati filluar të lidhej gjithnjë e më shumë me Rusi. Dy tubacionet e gazit të nisura nga Rusia në Gjermani që patën anashkaluar Ukrainën ishin fatale për sigurinë e Evropës dhe tërë Perëndimit. Ishin pikërisht këto dy tubacione ato që i futën minat demokracisë në Evropë.

Krahas futjes nën kontroll të BE-së nga viti 2000 (kur edhe kishte ardhur Putini në pushtet) e deri në vitin 2022, Rusia me ndikimin e madh që kishte pasur në Këshill të Evropës dhe mbi qeveritë evropiane të përfaqësuara aty, kishte sponsorizuar 3 Raporte të Dick Martyt që shënjestronin SHBA-në, prej të cilave 2 raporte kundër luftës së SHBA-së ndaj terrorizmit (në 2006 dhe 2007) dhe raport kundër UÇK-së (në 2011). Të tria këto raporte të Dick Martyt kishin për qëllim diskreditimin e SHBA-së para evropianëve dhe para botës, si dhe rritjen e pakënaqësisë ndaj SHBA-së në glob.

Dhe ç’është e vërteta këto tri raporte të Dick Martyt e kishin dëmtuar rëndë imazhin e SHBA-së në Evropë dhe në botë, saqë ishte krijuar një përshtypje se SHBA po e fshehte krimin si në luftën ndaj terrorizmit dhe ashtu edhe në mbështetjen ndaj UÇK-së në 1999. Shtete të fuqishme të BE-së s’po e përkrahnin SHBA-në në luftë kundër terrorizmit. Raportet transatlantike nga viti 2000 deri në vitin 2022 kishin rënë në pikën më të ulët. Ndërkohë që si lufta kundër terrorizmit ashtu edhe ajo e UÇK-së kundër Serbisë kishin të njëjtin qëllim për SHBA-të: zbythjen e Rusisë nga Evropa (më konkretisht nga Kosova dhe hapësirat shqiptare) dhe nga Lindja e Mesme e Azia Qendrore, nga ku Rusia synon të dalë e lirë në Oqeanin Indian.

Sa më shumë që evropianët po futeshin nën kontrollin rus nga viti 2000 deri 2022, aq më shumë po rritej antiamerikanizmi në Evropë (përfshirë Ballkanin dhe Kosovën) e aq më shumë po forcohej Serbia në Ballkan në dëm të shqiptarëve si gjithnjë në këto 120 vitet e fundit. Sa më shumë që Rusia po nxiste antiamerikanizëm në BE, aq më shumë po rritej antiamerikanizmi në Kosovë. Vetëm kush ka jetuar në Kosovë dhe ka punuar nëpër institucione vendore e ndërkombëtare e ka parë se sa shumë antiamerikanizëm nxitej gjithandej Kosovës në një apo në një formë tjetër.

Qëllimi i evropianëve të detyruar nga rusët ishte që Kosova të ngelej e varur nga importi i energjisë dhe që në Kosovë të instalohej një pushtet sa më anti-UÇK dhe sa më anti-SHBA. E mbështetur për muri për shkak të imazhit të rënduar nga 3 Raportet e Dick Martyt, SHBA i pati hapur dritën jeshile themelimit të Gjykatës Speciale për t’i bërë me dije Rusisë dhe botës se s’kishte asgjë për të fshehur sa i përket mbështetjes së luftës së UÇK-së. Dhe Krerët e UÇK-së për ta ruajtur partneritetin me Perëndimin e vetëthemeluan Gjykatën Speciale duke dhënë mesazhin se s’kishin asgjë për të fshehur.

Themes by WordPress