Presidentja Vjosa Osmani sot ka ftuar një takim konsultativ me kryetarët e partive politike të përfaqësuara në Kuvend për caktimin e datës së zgjedhjeve të rregullta në Republikën e Kosovës. Të gjitha partitë kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre, por nga Lëvizja Vetëvendosje në takimin e ftuar për liderë të partive u paralajmërua se do të shkojë nënkryetari Glauk Konjufca, ndërkohë nga partitë opozitare shkojnë liderët. Takimi i thirrur nga Osmani vjen pas disa tentativa të mëhershme që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Në orën 14:00 pritet që në Kuvend të arrijnë përfaqësuesit e partive politike për takimin konsultativ dhe më pas është planifikuar që presidentja Osmani të mbajë një konferencë për media. Ndërkaq, nga takimi mediat mund të marrin pamje nga fillimi i takimit.
Para kësaj ngjarje, deputeti i partisë në pushtet, Armend Muja, ka ngacmuar opozitën, duke aluduar se ajo dëshiron t’i shtyjë zgjedhjet “pambarimisht”.
“Opozita nuk mundet t’i shtyjë zgjedhjet pambarimisht, ato duhet të mbahen në afatin e rregullt. Çdo herë kur ka dakordim, gjashtë muaj para afatit ligjor të zgjedhjeve të rregullta, presidentja e vendit me dakordim të gjithë subjekteve politike ose konsensus mund të caktojë një datë të zgjedhjeve. Mund të jetë kushtimisht nga vjeshta e vonshme deri në mes të shkurtit. Ky është afati kushtimisht që duhet të organizohen zgjedhjet, por i takon presidentes, si e mandatuar nga Kushtetua, që të gjejë këtë konsensus”, tha ai për Kosova Press.
Presidentja Osmani u dërgoi letër liderëve të partive më 26 korrik ku e theksoi se periudhën se kur duhet të mbahen zgjedhjet e rregullta.
“Përmes kësaj letre, po ju drejtohem lidhur me konsultimin e përbashkët për caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme në Republikën e Kosovës. Në pajtim me afatin e përcaktuar në nenin 66 (2) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 5 (2) të Ligjit Nr. 08/L -228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës (“Ligji”), zgjedhjet e rregullta për Kuvend, duhet të mbahen përgjatë periudhës 26 Janar-16 Shkurt 2025. Rrjedhimisht, në pajtim me përcaktimet e Kushtetutës dhe Ligjit, sot më 26 korrik, fillon zyrtarisht faza brenda së cilës mund të zhvillohen konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve. Në këtë drejtim, bazuar në kompetencat e mia kushtetuese për shpalljen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, ftoheni në takim konsultativ më 31 korrik 2024, në orën 14:00, në Sallën S301, në Ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në letrën e Osmanit.
Kësaj letre i ishte përgjigjur po ashtu me një letër kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ku tha se e konfirmon pjesëmarrjen e tij në takimin konsultativ.
Nga PDK do të shkojë kryetari Memli Krasniqi e po ashtu edhe nga LDK do të shkojë kryetari Lumir Abdixhiku, i cili “do të shpalosë” qëndrimin e partisë.
Ndërsa, zëdhënësi i VV’së, Arlind Manxhuka, dje i ka thënë Gazetës Express se në këtë takim pritet të shkojë nënkryetari i parë i partisë, Glauk Konjufca.
“LV do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga Presidentja Osmani. Besoj që do të shkojë nënkryetari i parë i LV’së, Glauk Konjufca”, ka thënë Manxhuka.
Zgjedhjet e fundit nacionale janë mbajtur më 14 shkurt 2021 kur Lëvizja Vetëvendosje doli e para me më shumë se 50 për qind të votave. Partia e dytë ishte PDK, e treta LDK, kurse e katërta AAK. Partia e Fatmir Limajt nuk kishte arritur ta kalonte pragun zgjedhor.