Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Konsultimet për datën e zgjedhjeve, në KQZ thonë se përgatitjet i nisin pasi të caktohet data

Konsultimet për datën e zgjedhjeve, në KQZ thonë se përgatitjet i nisin pasi të caktohet data

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka ftuar per datën 31 korrik kryetarët e partive politike për të folur rreth datës së zgjedhjeve të rregullta për Kuvendin e Kosovës.

Derisa krerët e përtive nuk kanë treguar se a do të jenë pjesë e takimit të përbashkët apo do të modifikohet formati, në KQZ janë në pritje.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për Gazetën Express se ky institucion “fillon përgatitjet intensive për përgatitjen dhe organizimin e zgjedhjeve, në kuptim të realizimit të aktiviteteve sipas afateve të përcaktuara me ligj, pasi të caktohet data për mbajtjen e tyre”.

Por, pavarësisht se data e zgjedhjeve ende nuk është caktuar, Elezi ka thënë se KQZ ka punuar që të përgatitet për procesin e ardhshëm zgjedhor.

“Duke qenë të vetëdijshëm se ky është një vit zgjedhor, që nga fillimi i këtij viti, KQZ e ka orientuar punën në parapërgatitjen e shumë çështjeve që ndërlidhen me detyrimet ligjore të KQZ-së. Në këtë drejtim është edhe softueri i KQZ, zhvillimi i të cilit është në përfundim e sipër dhe është mundësuar me mbështetjen e OSBE-së. Me anë të këtij softueri, do të digjitalizohen shumë nga operacionet zgjedhore”, tha Elezi.

Ai ka sqaruar se “përmes këtij softueri do të ofrohen shërbime të ndryshme online, si në vijim: kërkimi i Qendrës së Votimit dhe aplikimi për ndryshimin e saj; aplikimi për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës; aplikimi për regjistrimin e votuesve me nevoja të veçanta; aplikimi për regjistrim dhe përditësimi i të dhënave të partive politike; aplikimi për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve; aplikimi për akreditim për vëzhgim të zgjedhjeve; regjistrimin e të dhënave për trupat zgjedhore; aplikimin online për akreditimin e vëzhguesve; mbledhja e të dhënave dhe paraqitja e rezultateve preliminare dhe përfundimtare në mënyrë progresive”.