Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Drejtësi > Konstituimi i Kuvendit, ja kush dërgoi komente në Gjykatën Kushtetuese

Konstituimi i Kuvendit, ja kush dërgoi komente në Gjykatën Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese ka pranuar komentet e palëve të përfshira në çështjen që lidhet me konstituimin e Legjislaturës së njëmbëdhjetë të Kuvendit të Kosovës dhe formimin e Qeverisë së re.

Në Kushtetuese kanë thënë për KosovaPress se brenda afatit të përcaktuar, komentet janë dorëzuar nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, në cilësinë e kryetares së Kuvendit,  Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, dhe  Grupi Parlamentar Multietnik.

“Ju njoftojmë se, përkitazi me kërkesën e dorëzuar lidhur me konstituimin e legjislaturës se njëmbëdhjetë dhe formimin e qeverisë së re, Gjykata, brenda afatit të përcaktuar, ka pranuar komente nga: Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!; Burim Ramadani, deputet i Aleancës; Grupi Parlamentar Multietnik; Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës; dhe Albulena Haxhiu, ushtruese e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës (në cilësinë e Kryetares së Kuvendit)”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese për KosovaPress.

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës më 14 dhe 15 shtator kanë dorëzuar dy kërkesa në Gjykatën Kushtetuese, përkitazi me kushtetutshmërinë e konstituimit të Kuvendit të Kosovës dhe formimin e qeverisë së re.

PDK po konteston konstituimin e Kuvendit pa njërin prej nënkryetarëve si dhe tejkalimin e afatit tridhjetëditor për konstituimin e Kuvendit.