Analisti politik Blerim Burjani ka komentuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe pasojat që mund të vijnë nga refuzimi i disa partive për të votuar kandidatin serb për kryesinë e Kuvendit. Ai ka theksuar se ngërçi aktual nuk është një çështje juridike ose kushtetuese, por një problem i thellë politik.
Burjani ka thënë për Arbëria TV se “politika kosovare po lëviz përmes një amatorizmi politik, ku partitë shqiptare nuk pranojnë të respektojnë realitetin kushtetues dhe po krijojnë një krizë të artificiluar”.
Ai ka theksuar se Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet në përputhje me rregullat e Kushtetutës, ku një përfaqësues serb është i domosdoshëm për të plotësuar kërkesat etnike.
Sipas tij, “Lëvizja Vetëvendosje (VV) ka mundësinë të zgjidhë këtë ngërç duke pranuar këtë realitet dhe duke emëruar një anëtar të kryesisë nga komuniteti serb, por nuk e ka bërë ende këtë hap, pasi ajo do të kishte vështirësi në formimin e qeverisë pa një numër të mjaftueshëm deputetësh”.
“Sipas mendimit tim, Kuvendi varet nga politika, nga akterët politik, VV dhe të tjerët, pra nëse duan me konstitua Kuvendin, atëhere merren vesh me zgjedh një anëtar të kryesisë së Kuvendit nga komuniteti serb, pra duhet vullnet dhe arsye”, u shpreh Burjani.
Burjani ka theksuar gjithashtu se nëse “VV dhe partitë vazhdojnë të refuzojnë një kompromis, Kosova mund të futet në një krizë të thellë institucionale,” e cila do të sjellë pasiguri dhe mund të shtyjë vendin drejt “zgjedhjeve të jashtzakonshme.” Ai ka kritikuar faktin se partitë shqiptare po “luajnë një lojë politike për pozita të pafundme, pa marrë parasysh interesat e qytetarëve dhe stabilitetin e shtetit”.
Një tjetër element i diskutuar nga Burjani është se nëse ky ngërç vazhdon, Kosova mund të humbasë një vit të tërë pa funksionuar siç duhet, duke krijuar një “krizë politike dhe ekonomike,” ndërsa “partitë politike aktuale nuk po ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme për të ardhmen e vendit”.
Në fund, Burjani ka propozuar se është koha për një “alternativë të re politike”, që do të mund të tërheqë vëmendjen nga përçarjet dhe interesat personale të partive të tanishme dhe të ofrojë një drejtim të ri për Kosovën. Ai ka përfunduar duke thënë se “konsolidimi i Kuvendit dhe krijimi i institucioneve funksionale janë jetike për të ardhmen e shtetit të Kosovës,” dhe se kjo është një mundësi që nuk duhet humbur.