Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > “Konstituimi i institucioneve”, Haliti: Kosova në udhëkryq, Kurti po zvarrit qëllimisht procesin për të gjetur partner koalicioni

“Konstituimi i institucioneve”, Haliti: Kosova në udhëkryq, Kurti po zvarrit qëllimisht procesin për të gjetur partner koalicioni

Dje Gjykata Kushtetuese ka publikuar një vendim në lidhje me Kuvendin e Kosovës ku ka pezulluar punën e deputetëve përkohësisht, kjo pas ankesës nga Lista Serbe për procedurat e zgjedhjes së nënkryetarit nga ky komunitet.

Në lidhje me këtë zhvillim politik, në një prononcim për TV Arbëria, Xhavit Haliti nga PDK-ja ka thënë se Kosova ndodhet në një udhëkryq, dhe sipas tij Kurti ka për qëllim ta zgjasë sa më shumë procesin, deri tek konstituimi i institucioneve.

“Ka shumë pyetje që janë në pikëpyetje, por thjesht veprimet e Vetëvendosjes, veprimet e zotit Kurti, kanë një strategji të caktuar dhe qëllimi kryesor është me i prolongu konstituimin e institucioneve të Kosovës për arsye që kanë nevojë për një studim dhe analizë më të thellë, më gjerësisht, për shumë arsye, sepse Kosova është në udhëkryq në kuptimin e asaj se a do të bëhet vend demokratik dhe a do të marrin përgjegjësitë që janë caktuar me marrëveshjen ndërkombëtare, apo do të vendnumërojmë sipas tekeve të partive politike, ose individëve në këto parti. Tani, në qoftë se ne jemi thirrë gjithmonë në Kartën e OKB-së për barazi, kur na janë bërë neve të padrejta, kjo Kartë garanton për të gjithë që duhet t’i kenë të drejtat e barabarta dhe detyrë e institucioneve përkatëse është që për ta zbatuar Kartën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe marrëveshjet kombëtare”, ka thënë Haliti.

Tutje, Haliti shton se qëllimi tjetër është që të mos ketë institucione deri nga fundi i nëntorit në mënyrë që të fitohet kohë për të formuar koalicionet e mundshme.

“Tani këta po e dinë që është një lojë, një ide që mund të ketë një presion të ri duke filluar nga nëntori, për t’i zgjidhur problemet, për mos me i lënë të hapura. Atëherë mendoj që ideja ose qëllimi është që të mos ketë institucione deri atëherë, por po luhet edhe në kartën tjetër që të gjendet partneri i duhur ose i përshtatshëm për Vetëvendosjen për të bërë koalicion. Kjo do kohë, do diskutime, do marrëveshje.”, ka thënë Xhavit Haliti për TV Arbëria.

Sipas Halitit, mund të ndodhë edhe skenari tjetër, që pas zgjedhjeve lokale Kosova të mbajë edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Haliti, krejt në fund, thekson se administrata e presidentit amerikan Donald Trump është duke u përgatitur të bëjë hapin përfundimtar në lidhje me çështjen Kosovë-Serbi.

“Interesi i Kurtit është që të mos ketë institucione të themeluara, të mos ketë qeveri deri nga fundi i nëntorit. Tani, sa i përket zgjedhjeve të reja, është mirë me vlerësu edhe deputetët e kësaj legjislature, që opinioni dhe ata që i kanë votu, se a janë të kënaqur me mënyrën që kanë vepru deri sot. Tani nëse interesi është prapë për të prolongu edhe për ta prezantu Kosovën se nuk ka institucione, atëherë mendoj që edhe mund të ndodhë kjo kartë tjetër, që ose në prag të zgjedhjeve lokale, ose menjëherë pas zgjedhjeve lokale, të shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme edhe t’i marrin edhe nja 6 muaj afat deri në konstituim dhe kështu të luhet me kartën e moskompetencës për me i zbatu marrëveshjet e mundshme, të cilat po besoj se administrata e zotit Trump ka parasysh dhe është duke u përgatitur për të bërë hapin e dytë përfundimtar sa i përket statusit të Kosovës dhe marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”. /TV Arbëria